DYLON

Ministri Maqedonci mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26” në Kroaci

Ministri Maqedonci mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26” në Kroaci
Avatar photo Redaksia

Me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day – DV Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e zhvilluar në poligonin ushtarak të Slunjit, në Republikën e Kroacisë.

Kjo stërvitje dëshmoi qartë gatishmërinë dhe aftësinë e forcave tona për të mbrojtur vendet dhe qytetarët e Kosovës. Në stërvitje morën pjesë mbi 3,000 ushtarakë nga Kroacia, si dhe qindra pjesëtarë nga vendet aleate dhe partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë, Gjeorgjinë dhe Republikën e Kosovës.

EkoHigjiena

Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë. Gjatë stërvitjes, pjesëtarët e FSK-së dëshmuan nivel të lartë profesionalizmi, disipline dhe ndërveprueshmërie, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere.

Stërvitja “Combat Power 26”, e cila zgjati 11 ditë, u zhvillua në terrene sfiduese. Gjatë ushtrimeve u demonstruan operacione të integruara luftarake ajrore dhe tokësore, duke simuluar skenarë luftarakë për mposhtjen e forcave armike dhe duke vënë në pah nivelin e lartë të koordinimit ndërmjet forcave pjesëmarrëse

Një element i rëndësishëm i pjesëmarrjes së FSK-së ishte edhe angazhimi i kapaciteteve logjistike në fushën e shërbimit të ushqimit. Sot, FSK-ja ka kapacitete të plota organike, duke ofruar mbështetje ushqimore si për pjesëtarët e saj, ashtu edhe për forcat aleate dhe partnere gjatë stërvitjeve të përbashkëta.Ky zhvillim pasqyron avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve logjistike, rritjen e vetëqëndrueshmërisë operacionale dhe pjekurinë institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjen “Combat Power 26” nuk është vetëm një angazhim ushtarak, është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe kontribuon në zhvillimin profesional të pjesëtarëve të saj. Përmes këtyre angazhimeve, ushtarët rrisin aftësitë e tyre dhe dëshmojnë se janë të përgatitur për të kontribuar me sukses në misione dhe operacione të përbashkëta ndërkombëtare.

Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë mbetet një partneritet i fuqishëm strategjik,I ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy shteteve që qëndrojnë krah për krah përballë sfidave të përbashkëta.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm, duke kontribuar me përgjegjësi dhe përkushtim për një rajon dhe të ardhme më të sigurt . /2LONLINE/