Ministri Maqedonci mirëpriti në takim anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga delegacioni i lartë i Ministrisë së Mbrojtje, sot u takua me anëtarët e Komitetit Ushtarak të NATO-s, të kryesuar nga Admiral Giuseppe Cavo Dragone, si dhe Kryetari i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian (CEUMC), Gjeneral Sean Clancy.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale të sigurisë, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kontributin e Republikës së Kosovës në funksion të sigurisë regjionale dhe globale.
Po ashtu, ai theksoi synimin strategjik që Republika e Kosovës ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke nënvizuar rëndësinë që kanë këto procese, jo vetëm për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, por edhe për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Për më tepër, ministri Maqedonci e informoi delegacionin e Komitetit Ushtarak të NATO-s rreth objektivave strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes për katër vitet e ardhshme, të cilat janë fokusuar në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të FSK-së, zbatimin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe vetëqëndrueshmërinë.
“Anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike përbën një hap të natyrshëm dhe të domosdoshëm, që kontribuon për paqe të qëndrueshme, bashkëpunim të thelluar ndërkombëtar dhe arkitekturë më të fortë të sigurisë në Evropë”, u shpreh mes tjerash ministri Maqedonci.
Republika e Kosovës mbetet e vendosur të ecë përpara si një partner i besueshëm, duke kontribuuar aktivisht në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë. /2LONLINE/
