Ministri Lluka morri pjesë në ‘Konferencën Vjetore të Investimeve’ në Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministri Lluka morri pjesë në ‘Konferencën Vjetore të Investimeve’ në Emiratet e Bashkuara Arabe

Me ftesë të Ministrit të Ekonomisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Sultan Bin Saeed Al Mansoori, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, morri pjesë në konferencën vjetore Annual Investment Meeting në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, nga 9-11 Prill 2018.

Gjatë punimeve të konferencës, Ministri Lluka u prit në takim nga Ministri Al Mansoori me të cilin diskutoi për domosdoshmërinë e rritjes së investimeve të kompanive nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me theks në fushën e energjisë, minierave dhe ujërave.

Ministri Lluka gjatë takimit ka njoftuar homologun e tij për masat që kanë ndërmarrë institucionet e Republikës së Kosovës, me qëllim të përkrahjes së investimeve të huaja dhe krijimit të lehtësirave për kompanitë e huaja që operojnë në Kosovë.

Të dy ministrat u dakorduan, që të finalizohet nënshkrimi i marrëveshjes për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve, në mes të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe marrëveshjes për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë, si marrëveshje bazë për tërheqje të investimeve dhe krijim të kushteve të përshtatshme për kompani investuese.

Gjithashtu, gjatë punimeve të konferencës, Ministri Lluka ka zhvilluar takim të ndara me Ministrin e Ekonomisë të Sulltanatit të Omanit, Al Sunaidi si dhe Ministren e Ekonomisë dhe Tregtisë së Republikës Federale të Nigerisë, Aisha Abubakar. Ministri Lluka njoftoj Ministrin Al Sunaidi dhe Ministren Abubakar, për mundësitë që ofron Kosova për investime, si dhe kërkojë nga të njëjtit thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Ministri Lluka dhe Ministri Al Sunaidi, respektivisht Ministrja Abubakar, u dakorduan që të iniciojnë nënshkrimin e marrëveshjes për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve në mes të Republikës së Kosovës dhe Sulltanatit të Omanit, gjegjësisht Republikës Federale të Nigerisë.

Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri Lluka po ashtu ka zhvilluar takim me Kryetarin e Bordit të Odes Ekonomike të Dubai, z. Salif Al Ghurair, dhe Presidentin e Odes Ekonomike të Dubai, z. Hamad Buamin, nga të cilët ka kërkuar promovimin e mundësive që ofron Republika e Kosovës si dhe nxitjen e kompanive nga Emiratet për të investuar në Kosovë, me theks në projektin e Brezovicës, infrastrukturë dhe ujëra.

Ministri Lluka dhe Kryetari Al Ghurair u pajtuan që brenda këtij viti të zhvillohet Forumi i përbashkët i Bizneseve, me qëllim të krijimit të rrjetit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të kompanive kosovare dhe atyre nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Për më tepër, Ministri Lluka gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar takime me Princin e EBA dhe Sheikun Ahmed Dalmook Al Maktoum i cili shprehu interesimin për të investuar në projektet me energji të ripërtrishme dhe ato energjetike në përgjithësi.

Takimet vazhduan me Kryetarin e Këshillit Ndërkombëtarë të Investitorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Jamal Saif Al Jarwan, ekzekutivin e Fondit Investiv të Abu Dhabi, përfaqësues të kompanive me renome, ndër të tjera kompanitë investive “Group Loukil”, “Jumairah Group”, “Dubai Investment” dhe “Lulu International”, të cilat i ka njoftuar me mundësitë që ofron Kosova, njëkohësisht, u ka shprehur vullnetin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për të krijuar lehtësira dhe kushte të volitshme, për të gjitha kompanitë, të cilat vendosin të investojnë në Republikën e Kosovës.

Në fund, Ministri Lluka dha intervistë për gazetën prestigjioze, ‘Financial Times’ rreth mundësive dhe sfidave që ka Kosova.

KOMENTE