Ministri i Shëndetësisë bisedon me mjekët nga Turqia për bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë bisedon me mjekët nga Turqia për bashkëpunimin në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë, priti sot një delegacion zyrtar nga Turqia të udhëhequr nga Dr. Öner Güner Drejtor Gjeneral për marrëdhënie ndërkombëtare dhe BE në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të Javës së Shëndetësisë Kosovë-Turqi.

Ministri i Shëndetësisë, Rrahmani ka falënderuar ekipin nga Turqia dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira midis dy shteteve në fushën e shëndetësisë.

“Marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Kosovës e Turqisë, kanë mundësuar një bashkëpunim shumë të mirë edhe në shëndetësi midis profesionistëve, shoqatave profesionale dhe institucioneve të dy vendeve”, tha Ministri Rrahmani.

Ministri Rrahmani tha se “në vazhdimësi po punohet për krijimin e kushteve si infrastrukturore ashtu edhe profesionale me qëllim që shërbimet shëndetësore sa më gjithëpërfshirëse të ofrohen në vend, ndërsa vlerësojmë se këmbimi i përvojave midis ekspertëve të dy vendeve rritë mundësinë e ofrimit edhe të shërbimeve që më parë nuk janë ofruar në Kosovë”.

Dr. Güner tha se në shëndetësinë e Kosovës po vërejmë përparim në krahasim me vendet të tjera që kemi bashkëpunime të tilla.

Ai më tutje shtoi se organizimi për herë të katërt i Javës së shëndetësisë është dëshmia më e mirë e përkushtimit të Qeverisë së Turqisë në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës.

“Turqia është dëshmuar me të arriturat e saj të larta në shëndetësi, andaj besoj që ekspertët tanë do të dëshmojnë këtë me punën e tyre me kolegët kosovarë edhe gjatë kësaj jave të qëndrimit këtu si në javët e shëndetësisë të viteve paraprake duke bërë intervenime të komplikuara dhe duke këmbyer përvojat e tyre profesionale”, tha dr. Güner.

Gjatë kësaj jave, ekspertë të fushave të ndryshme të shëndetësisë nga Turqia, në bashkëpunim, me mjekët nga Kosova do të kryejnë intervenime në fushën kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë, etj.

KOMENTE