Ministri i Infrastrukturës takon kryetarin e Novobërdës

Ministri i Infrastrukturës takon kryetarin e Novobërdës

Sot Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, e ka pritur në një takim Kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanovic. Fillimisht ministri Lekaj dhe kryetari Ivanovic e uruan njëri tjetrin për zgjedhjen në postet përkatëse, ndërkohë që ministri Lekaj tha se të gjithë kryetarët e komunave do të jenë të trajtuar si të barabartë, pa marrë parasyshë se cilit komunitet, apo regjion i takojnë ata.

“Fillimisht dua t’ju uroj për zgjedhjen tuaj edhe për një mandat në krye të Komunës së Novobërdës dhe më lejoni që të shpreh përkushtimin tonë si Ministri e Infrastrukturës që edhe në vitin në vijim t’ju përkrahim me aq sa na lejon bugjeti dhe mundësitë, por për një gjë të jeni të sigurtë se çdo projekt që e fillojmë edhe do ta përfundojmë”, tha ministri Lekaj.

Ndërkaq Kryetari i Novobërdës, Svetislav Ivanovic, e ka falenderuar ministrin Lekaj dhe e ka informuar atë rreth projekteve që kanë si komunë dhe ka kërkuar përkrahjen e ministrit në realizimin e projekteve kapitale që ka kjo komunë.

“Zoti Ministër fillimisht më lejoni që t’ju uroj për zgjedhjen tuaj në postin e Ministrit të Infrastrukturës dhe faleminderit për pritjen. Ne si komunë e decentralizuar kemi disa projekte që do të na nevoitet ndihma e ministrisë për t’i realizuar. Ndër projektet tona që ka rëndësi për qytetarët është edhe transporti humanitar, pra vazhdimi i këtij projekti dhe asfaltimi i disa rrugëve lokale”, tha Ivanovic.

Ministri Lekaj e ka siguruar kryetarin Ivanovic se do të jetë i hapur për bashkëpunim dhe se do të jenë gjithmonë të mirëseardhur, sepse vetëm kështu, nëpërmjet bashkëpunimit mund t’ju shërbehet më së miri qytetarëve të vendit. ​

KOMENTE