Ministri i FSK-së takon shefin e shtabit të Gardës Kombëtare të Aiovës
Ministri i ministrisë për Forcën e sigurisë së Kosovës (MFSK), zotëri Haki Demolli priti sot në takim Shefin e Shtabit të Gardës Kombëtare të shtetit Aiova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), kolonel Michael G. Amundson.
Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunimin në kuadër të partneritetit shtetëror Kosova- Aiova, përkatësisht Forca e Sigurisë së Kosovës dhe garda Kombëtare e Aiovës. Gjithashtu u bisedua për planet e aktiviteteve, realizimin si dhe planifikimin e aktiviteteve për të ardhmen gjithmonë bazuar në planin e bashkëpunimit bilateral, si dhe për identifikimin e fushave në të gjitha nivelet si në atë taktik, operacional dhe strategjik, aty ku Ministria dhe FSK-ja ka nevojë për mbështetje.
Me këtë rast ministri Demolli, në emër të Ministrisë dhe FSK-së, i shprehu Shefit të Shtabit të Gardës së Aiovës, kolonelit Amundson dhe nëpërmjet tij edhe komandantit të Gardës, gjeneral major Timothy Orr, mirënjohjen dhe falënderimin për gjith angazhimin që stafi komandues i Gardës, oficerët dhe nënoficerët e saj kanë bërë dhe po bëjnë që partneriteti në mes të dyja institucioneve të jetë kaq i sinqertë, i dobishëm dhe që premton vazhdimësi edhe në të ardhmen.
Gjithashtu edhe kolonel Amundson tha se ai ka qenë disa herë në FSK-së dhe se sa herë që ka ardhur ka parë ndryshime evidente, ndërsa kësaj here unë kam parë një progres fenomenal në shumë fusha dhe se me këtë vizitë dhe me aktivitetet që do të realizojmë këtu bashkë me juve ju garantoj se do të nxisin edhe fusha të reja bashkëpunimi, sepse ky zell dhe përkushtim e meriton angazhimin dhe vëmendjen tonë.
Koloneli Amundson dhe ekipi i tij po qëndron këto ditë në FSK me qëllim realizimit të aktivitetit më të rëndësishëm për këtë vit në kuadër të bashkëpunimit dy palësh. Ky aktivitet do të fokusohet në shkëmbimin e informacioneve në lidhje me teknikat dhe doktrinën e Ushtrisë amerikane.
