Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e kanë pritur sot, në takime të ndara drejtorin e Programit ‘Qendra Evropiane për Marrëdhënie Civilo–Ushtarake’ Thomas Jang nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak Chad Buatts dhe zyrtarë tjerë të ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.
Ai si përgjegjës i Qendrës Evropiane për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake ka drejtuar dhe zbatuar planet e mbrojtjes si dhe ka dhënë këshilla për ndërrimin e menaxhmentit të ministrive të mbrojtës përmes projekteve ndihmëse në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Ministri Demolli dhe gjeneral Rama, gjatë takimeve e kanë njoftuar Thomas Jang me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, me theks të posaçëm në realizimin e rekomandimeve të dala nga Rishikimi i Sektorit Strategjik të Sigurisë së Kosovës si dhe fazën e arritjes së procesit të përgatitjeve të nevojshme për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Thomas Jang me këtë rast, ka falënderuar ministrin Demolli dhe gjeneralin Rama për pritjen si dhe njëherit ka shprehur përkrahjen e tij, që edhe në të ardhmen SHBA-të, dhe ai personalisht me përvojën dhe ekspertizën e tij do ta ndihmojnë FSK-në.