Sot, ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Haki Demolli, i shoqëruar nga zëvendësministrat Fadil Gashi dhe Muhamet Latifi, gjeneral brigade Zymer Halimi, priti në një takim pune, një delegacion të Republikës së Kroacisë, të prirë nga ministri i Veteranëve të Republikës së Kroacisë, Tomo Medved në cilësinë e të deleguarit të veçantë të presidentes së Republikës së Kroacisë, znj. Kolinda Grabar Kitaroviq, si dhe ministri i Kulturës, Zlatan Hasanbegoviq.
Ministrat Medved dhe Hasanbegoviq, shoqëroheshin edhe nga zëvendës ministri i veteranëve të Kroacisë Miroslav Cindriq, ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, znj. Marija Kapetanoviq, veterani i luftë së Kroacisë, gjeneral Kadri Kastrati( ish komandant i FSK-së) përfaqësuesi i krye bashkiakut të qytetit të Zagrebit, dr. Gëzim Rexhepi, kryetari unionit të shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Esad Çollaku, kryetari i shoqatës së veteranëve shqiptar z. Tom Kaçinari dhe veteranë të luftës në Kroaci.
Ministri Demolli ka falënderuar delegacionin e Kroacisë, për vizitën si dhe për bashkëpunimin që kanë me Republikën e Kroacisë, të Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së, me ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Kroacisë.
Ministri Haki Demolli gjithashtu delegacionin e Kroacisë e njoftoi me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, bashkëpunimin shumë të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes të Kroacisë, me theks të veçantë mbështetjen që Republika e Kroacisë po jep në drejtim të anëtarësimit të Kosovës në iniciativa rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë, etj.
Nga ana e tij, Ministri Demolli e theksoj se Kosovën dhe Kroacinë i mban afër historia e ngjashme, gjithashtu diaspora shqiptare në Kroaci si dhe minoriteti kroat që jeton në Kosovë, duke shpreh gjithashtu edhe mirënjohje për shërbimin shumëvjeçarë të Kontingjentit ushtarak kroat në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Gjithashtu, ministri i FSK-së, Haki Demolli tha se Kroacia ka përvojë më të gjatë në administrimin dhe përkujdesjen e veteranëve dhe se do të ishte me dobi të madhe nënshkrimi i një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive, në digasteret përkatëse për të shkemby përvojat e rregullimit të shumë çështjeve lidhur me veteranët. Ministri Demolli autoriteteve kroate u shprehu gjithashtu nevojën për njohje dhe avancim të statusin e shqiptarëve nga Kosova veteranë të luftës së Kroacisë.
Në emër të delegacionit të Republikës së Kroacisë, të cilët, kanë sjellë eshtrat e dëshmorëve shqiptarë të rënë në luftën për çlirim të Kroacisë, në Kosovë, foli ministri i i Ministrisë për Veteranë të Kroacisë, z. Tomo Medved i cili falënderoi ministrinë Demolli për pritjen, duke theksuar se ndjehet jashtëzakonisht mirë që për herë të parë si Ministër vjen në Kosovë, në atdheun e bashkëluftëtarëve të tij, shqiptarëve nga Kosova, tani heronj të Kroacisë të cilët në ditët më të vështira u rreshtuan në luftë përkrah popullit kroat për ta mbrojtur Kroacinë nga agresioni serb.
Ministri kroat i veteranëve u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës për çështje të veteranëve, duke theksuar se përvoja e tyre në këtë fushë mund ti shërbej Kosovës në përkujdesje adekuate për këtë kategori të veçantë të shoqërisë e cila siç tha ministri kroat Medved është meritore për lirinë dhe shtetin tuaj, ashtu siç janë veteranët e Kroacisë meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë.
Delegacioni kroat ka ardhur në Kosovë me qëllim të rivarrosjes së eshtrave të qytetarëve shqiptarë nga Kosova të rënë luftën për mbrojtjen e Kroacisë, tani dëshmorë dhe heronj të luftës së republikës së Kroacisë.