Ministri i Arsimit dhe Shkencës vizitoi Universitetin Publik “Kadri Zeka”
Ministri i Arsimit dhe Shkencës së bashku me Zëvendësministri Përparim Kryeziu dhe ekipin e tij, si dhe përfaqësues të SBASHK-ut, të kryesuar nga kryetari Rahman Jashari, zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Delegacioni u prit në takim nga rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Fitore Malaj, prorektorët, sekretari i përgjithshëm dhe kryetari i SBASHK-ut në UKZ.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit, procesin e hartimit të Strategjisë së re të Arsimit, rritjen e kapaciteteve financiare të UKZ-së, investimet kapitale, projektin për ndërtimin e kampusit të Universitetit, bashkëpunimin ndërkombëtar, mobilitetin e studentëve dhe stafit, si dhe mundësitë për zhvillimin e punës kërkimore-shkencore dhe projekteve ndërkombëtare.
Në fillim të takimit, ministri Hajrulla Çeku e uroi rektoren Fitore Malaj për përbërjen e re drejtuese të Universitetit dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm institucional.
Ministri Çeku theksoi rëndësinë e kontributit të universiteteve në hartimin e Strategjisë së re të Arsimit, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një dokument afatgjatë, i cili do të përcaktojë drejtimet e zhvillimit të sistemit të arsimit në Kosovë.
“Dokumenti i ri strategjik nuk do të jetë dokument i vendimeve të lehta. Shumë vendime do të jenë jo të lehta dhe jo gjithmonë të popullarizuara. Prandaj, është shumë e rëndësishme që strategjia jonë të jetë e përbashkët dhe ta gjejmë formulën se si të dalim mirë nga kjo strategji dhjetëvjeçare”, tha ministri Çeku.
Duke folur për arsimin e lartë, ministri theksoi nevojën që universitetet të shihen në funksion të nevojave zhvillimore të vendit dhe të kontributit që ato japin në sektorë të ndryshëm.
“Sa i përket arsimit të lartë, është e rëndësishme të kalojmë në komponentët zhvillimorë dhe të kuptojmë se çfarë është arsimi i lartë dhe cilit komponent të shtetit i kontribuon një universitet i caktuar. Nuk ka të bëjë me mbylljen e universiteteve, por me ristrukturimin e tyre dhe me mënyrën se si ato mund t’i shërbejnë më mirë zhvillimit të vendit”, u shpreh Çeku.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe mbështetjes financiare dhe investimeve kapitale për Universitetin Publik “Kadri Zeka”. Ministri Çeku tha se buxheti është dokument dinamik dhe se gjatë zbatimit të tij mund të ketë mundësi për ndërhyrje dhe përmirësime, ndërsa theksoi se investimet kapitale janë pjesë e planifikimit të shtetit.
“Duhet të shihet se cilat investime kapitale janë të nevojshme. Nëse bashkërisht dakordohemi se në zhvillimin e Universitetit ka nevojë për investim, atëherë ai investim duhet të bëhet”, tha ministri.
Sa i përket projektit për ndërtimin e kampusit të ri të UKZ-së, Çeku theksoi se ky është një proces që kërkon planifikim më të gjerë dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
“Kampusi është vendim i përbashkët. Duhet të përcaktohet se ku do të ndërtohet, të zhvillohet ideja dhe projekti, por kjo hyn në një planifikim shumë më të madh të shtetit”, tha ai.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e UKZ-së me universitete evropiane dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë në mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe për nevojën e mbështetjes së mëtejshme të këtyre proceseve.
Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Fitore Malaj, tha se UKZ është e gatshme të japë kontributin e saj në hartimin e Strategjisë së re të Arsimit dhe të punojë në koordinim me institucionet përgjegjëse.
“Ne kemi Planin tonë Strategjik dhe do të punojmë bashkë. Jemi të gatshëm që përmes përvojës dhe kapaciteteve tona të japim kontribut në hartimin e Strategjisë së re të Arsimit dhe në zhvillimin e arsimit të lartë”, tha rektorja Malaj.
Ajo theksoi se një vëmendje e veçantë për Universitetin mbetet rritja e kapaciteteve financiare, mbështetja e proceseve kapitale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.
“UKZ-ja është në një proces të vazhdueshëm të zgjerimit të bashkëpunimit me universitete evropiane dhe ndërkombëtare, veçanërisht përmes projekteve të përbashkëta dhe mobilitetit të studentëve dhe stafit. Mbështetja institucionale në këto fusha është shumë e rëndësishme për të krijuar mundësi të reja për Universitetin tonë”, u shpreh ajo.
Rektorja Malaj theksoi se Universiteti e sheh këtë periudhë si një mundësi për të forcuar më tej rolin e tij në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“UKZ-ja është e gatshme që me përgjegjësi dhe përkushtim të jetë pjesë aktive e këtij procesi. Ne besojmë se përmes bashkëpunimit institucional, investimit në kapacitete akademike e infrastrukturore dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, mund të krijojmë mundësi edhe më të mira për studentët dhe stafin tonë. Synimi ynë është që Universiteti të vazhdojë të zhvillohet dhe të japë një kontribut të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit”, tha rektorja Malaj.
Në kuadër të diskutimit për fuqizimin e Universitetit, u trajtua edhe skema e të ardhurave shtesë, me qëllim të nxitjes së punës kërkimore-shkencore të profesorëve dhe angazhimit të tyre në projekte ndërkombëtare, të cilat mund të gjenerojnë të ardhura shtesë mbi pagën bazë.
Ministri Çeku theksoi se pjesëmarrja e universiteteve në hartimin e Strategjisë së re është e domosdoshme dhe pjesë e vizionit për një sistem të arsimit të lartë që u përgjigjet nevojave të të gjithë sektorëve të vendit.
“Pjesëmarrja në hartimin e strategjisë është e domosdoshme dhe është pjesë e vizionit të Qeverisë për mënyrën se si duhet të duket sistemi i arsimit të lartë që u shërben nevojave të të gjithë sektorëve. Arsimi i lartë dhe shkenca duhet të ecin së bashku, më shumë punë, më shumë shkencë”, tha Çeku.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, duke vlerësuar se kontributi i secilit aktor në këtë proces është i rëndësishëm për ndërtimin e një strategjie të përbashkët dhe të zbatueshme.
“Edhe ju edhe ne jemi në fillim, pra në fillime të mbara. Arsimi ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve, veçanërisht tani që jemi në fazën e hartimit të Strategjisë së re të Arsimit. Është i mirë kontributi i të gjithëve, sepse secili që jep kontribut lidhet me atë ide dhe punon fort për realizimin e saj”, tha ministri.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me SBASHK-un. Përfaqësuesit e SBASHK-ut, të kryesuar nga kryetari Rahman Jashari, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e arsimit të lartë dhe thanë se qëllimi i vizitës së përbashkët ishte përcjellja e mesazhit se ngritja e cilësisë në arsim mbetet prioritet.
Në përmbyllje të takimit, ministri Çeku dhe rektorja Malaj shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit institucional dhe koordinimit në funksion të zhvillimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe avancimit të arsimit të lartë në Kosovë.
Ministri së bashku me delegacionin e tij, po ashtu vizituan nga afër ambientet e Universitetit Publik ‘Kadri Zeka’, duke parë sallat e mësimit, kabinetet dhe hapësirat e tjera universitare ku zhvillohet procesi akademik. /2LONLINE/
