Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Sarajevë, zhvilloi një takim me Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turković.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në vizitë zyrtare në Sarajevë, zhvillova një takim me Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, znj. Bisera Turković 🇦🇱🇧🇦!
Biseduam për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe nxitjes së turizmit.
Vlerësuam bashkërisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e ndërlidhjes, transportit, digjitalizimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të shtuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Po ashtu, theksuam se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe skajshmërisht i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Në fund, ndamë pikëpamjen e njejtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe UNESCO-n. Gjithashtu, vlen të përmendet mbështetja e Bosnje dhe Hercegovinës për synimin e Shqipërisë për të marrë një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.