Ministri Agani vizitoi fshatrat e prekura nga vërshimet Skifteraj e Budrikë
/2L ONLINE/ – Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor Ferid Agani i shoqëruar edhe nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti vizitoi fshatrat e prekura nga vërshimet Skifteraj e Budrikë.
Ai me këtë rast ka theksuar nevojën e intervenimit me urgjencë për të bërë një zgjidhje dhe që të evitohen këto defekte që po u shkaktojnë probleme banorëve të këtyre lokaliteteve në vazhdimësi.
“Unë do të angazhohem që në mënyrë urgjente të gjejmë një zgjidhje dhe të mbështesim projektet që kanë të bëjnë me rregullimin e shtratit të Lumit Morava, pasi që dalja e ujit nga ky lumë po shkakton dëme të konsiderueshme këtyre fshatrave”, ka thënë ministri Agani.
Ndërsa kryetari i komunës Sokol Haliti ka theksuar se Institucionet komunale në vazhdimësi po kërkojnë nga autoritetet qendrore që të bëhet një zgjidhje në mënyrë që të evitohen defektet përgjatë lumit Morava e Binqës.
“Pos dëmeve në kulturat bujqësore që po u shkaktohen këtyre fermerëve të fshatrave Skifteraj, Budrik, Radivojc dhe lokalitete të tjera, janë të konsiderueshme edhe dëmet në ekonomitë familjare”, ka thënë kryetari Haliti.
Përndryshe, gjendja aktuale në komunën e Vitisë pas vërshimeve të ditëve të fundit, ka filluar të normalizohet./2L ONLINE/
