DYLON

Ministrat Lluka e Gjiknuri diskutojnë hapat e krijimit të Tregun të përbashkët energjetik

Ministrat Lluka e Gjiknuri diskutojnë  hapat e krijimit të Tregun të përbashkët energjetik
Avatar photo Redaksia

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, me bashkëpunëtorë ka qëndruar sot në Tiranë ku ka takuar Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri, me të cilin ka bashkëbiseduar mbi hapat e deritashëm në kuadër të projektit të krijimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Lluka vuri theksin tek perspektiva e bursës shqiptare të energjisë dhe përfshirja e Kosovës në të. “Diskutuam tregun e përbashkët, bursën shqiptare të energjisë, pjesë e të cilës do të jetë edhe Kosova. U angazhuam që grupet të jenë më aktive për intensifikimin e punës mes dy shteteve në drejtim të integrimit të dy tregjeve energjetike. Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do ti definojë më tej detajet”, u shpreh Lluka.

Bursa Shqiptare e Energjisë do të shërbej në rritjen e qarkullimit, rritjen e konkurueshmërisë, si dhe do të përmbushë një nga kriterët që dalin nga masat e buta në kuadër të procesit të integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

EkoHigjiena

Ministri Lluka vlerësoi se linja e transmetimit Kosovë-Shqipëri mbetet jo aktive për shkaqe politike. “Vjen për shkak të problemeve që ne kemi me Serbinë. Shqipëria do vazhdojë të na përkrahë në këtë drejtim. Kjo është mjaft e rëndësishme pasi anëtarësimi në Organizatën Evropiane të Operatorëve të Transmisionit i mundëson Kosovës, përkatësisht KOSTT-it, që të pjesë e tregut rajonal dhe të përfitoj nga alokimi i kapaciteteve ndërkufitare”, sqaroi Lluka.

Nga ana e tij, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri theksoi pas takimit se ishte një bashkëbisedim i frytshëm mes dy delegacioneve dhe që i paraprin mbledhjes së përbashkët të qeverive.

“Kemi një punë të mirë të nisur tashmë me Kosovën për krijimin e tregut të përbashkët energjetik. Vendosëm të riaktivizojmë grupet e punës për ecjen përpara drejt unifikimit të tregjeve. U diskutua vazhdimi i procesit të krijimit të Bursës energjetike në Shqipëri dhe gatishmëria e Kosovës për të marrë pjesë në të”, nënvizoi Gjiknuri.

Më tej Gjiknuri tha se u diskutua edhe problemi i vënies në funksionim të linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, një investim i rëndësishëm nga vende të Bashkimit Evropian, projekt në kuadër të interkonektivitetit dhe në thelb të integrimit të vendeve tona, i cili është kthyer në problem.

“Shqipëria do të luajë rolin e mbështetësit për këtë projekt, do të lobojmë fort të dy vendet që në çdo forum ku të jemi tua vëmë në dukje partnerëve evropianë se vënia në punë e kësaj linje është alfa dhe omega e çdo gjëje për integrimin energjitik të dy vendeve. Do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Dy ministrat u angazhuan për harmonizimin e mëtejshëm të veprimeve për vendosjen në funksionim të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes dy vendeve.

Gjatë takimit, delegacionet e të dyja vendeve u pajtuan që të riorganizohen Grupet Punuese për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë, caktimin e koordinatorëve në nivel politik që të nxisin procesin dhe përcaktimin e hapave ligjore për krijimin e Tregut të përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.