Ministrat dhe dy bukët e tyre!

Ministrat dhe dy bukët e tyre!

Natën e kaluar, mysafir në një televizion ministri i Financave i Republikës së Kosovës. E pritëm me kureshtje të madhe sepse pritej të shpaloste pakon e ndihmave ekonomike, për biznese dhe ekonomi familjare!

Shkruan: Fitim Guda

Gjatë elaborimit, ministri e tha një të vërtetë shumë të madhe, por aspak profesionale dhe njerëzore.

Në pyetjen e gazetares, se çka mendon për ndërmarrësit në Kosovë , të cilët që ditët e para i lëshuan punëtorët nga puna, ministri u shpreh:

“Është hipokrizi e jo sinqeritet nga ana e ndërmarrësve që menjëherë t’i lëshojnë punëtorët. Si është e mundur që këta ndërmarrës, nuk kanë kapacitete, së paku një muaj të kenë likuiditet (para të gatshme) e t’i paguajnë obligimet”.

Ministri e tha të vërtetën, por harroi apo nuk diti të shpjegoj pse po ndodh kjo.

Prandaj, jo vetëm këtij ministri, por edhe ministrave tjerë, të të gjitha partive politike, do t’ua bëjmë me dije disa momente:

A e dini, ju ministra që ne jemi duke i vendosur themelet e zhvillimit ekonomik, dhe se edhe qindarkën e fundit e kemi investuar?!

A e dini, ju ministra, që pjesën më të madhe të profitit, që 20 vite ia kemi dhënë bankave, sepse ju nuk keni bërë asgjë për të krijuar bankat investive apo fondet zhvillimore?!

A e dini, ju ministra, që i gjithë buxheti i Kosovës është harxhuar në asfalt sepse nuk e keni pasur as idenë më të vogël për t’i përkrahur prodhuesit vendor, e në këtë mënyre, do ta përkrahnit Kosovën?!

A e dini, ju ministra, se kurrë nuk e keni përcjellë deficitin tregtar, për ta parë se çka prodhohet në Kosovë dhe për ta stimuluar këtë prodhim, e rrjedhimisht të përmirësohet deficiti tregtar?!

A e dini, ju ministra, se vazhdimisht keni rritur të ardhurat në sektorin publik, ndërkaq sektorin privat e keni lënë pa kuadro kualitativ?!

A e dini, ju ministra, që kurrë nuk keni tentuar të përdorni masa preteksioniste, për të mbrojtur prodhuesit vendor?!

Edhe shumë e shumë anomali të tjera!

Ju kuptojmë plotësisht, sepse shumica e ministrave, janë njerëz të lexueshëm, me aftësi të jashtëzakonshme retorike, besa edhe me aparencë perfekte, por edhe një e dimë që shumica e tyre, në jetën e tyre, më shumë se blerja e dy bukëve, kurrë punë tjetër praktike nuk kanë bërë, prandaj as iden s’e kanë se çka është ndërmarrësi!

/Autori është ekonomist dhe ndërmarrës/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE