(2LONLINE) – Saranda Bllaca, në cilësinë e mësimdhënëses ka adresuar një letër të hapur Ministritë të Arsimit Ramë Buja në të cilën letër ka ngritur shqetësimet e saja në lidhje me disa çështje që kanë të bëjnë me fushën e arsimit. Më poshtë po e japim të plotë letrën në fjalë:
***
I nderuari Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, z.Ramë Buja!
U mendova disa herë të shkruaj apo të mos shkruaj dhe, vendosa të shkruaj. Por gjithmonë duke ju shkruar nga këndi i një mësimdhënëse dhe nga përvoja ime 6 vjeçare në Komitetin e Arsimit në Gjilan. Po ju shkruaj, pa dashur të keqkuptohet, e aq më pak të keq interpretohet në opinion kjo letër e imja.
Është viti i gjashtë që punoj me nxënës të shkollave të mesme të larta, më konkretisht, punoj në një shkollë të mesme profesionale në Gjilan. Jam shumë e lidhur me arsimin dhe më pëlqen shumë mësimdhënia. Jo rastësisht vendosa t’ju shkruaj publikisht, me shpresë që do t’ia hidhni të paktën një sy kësaj letre.
U bënë 15 vite nga përfundimi i luftës. U bënë 15 vite që Kosova është në Liri. Por nuk e kuptoj deri kur Kosova do të jetë një vend në tranzicion?! Apo, më mirë thënë vend i eksperimenteve?!
E dimë të gjithë se reformat janë të mira, sado që për dikë të dhimbshme janë ato! Fillimisht, u nis me klasat e nënta, pastaj u shtua edhe klasa e 13-të! Me këtë rast, u shtua testi i arritshmërisë në klasat e nënta dhe testi i maturës pas përfundimit të shkollës së mesme, gjë që nuk jam aspak kundër kësaj. Megjithatë, disa fakultete nuk po i besojnë këtij testi, pasi që studentët po i detyrojnë të hynë në provim pranues. Më vonë u nda në dy pjesë testi i maturës. Shpesh na ndodhte që testet e gjimnazit t’iu binin nxënësve të shkollave profesionale. Pastaj – dështoi testi! Natyrisht që dështon pasi që shkollat profesionale janë profesionale dhe dallojnë shumë lëndët nga drejtimet e gjimnazit.
Tani, këtë vit, është marrë vendim që të shuhen klasat e trembëdhjeta!!! Bile, vendimi është marrë diku 1 javë para se të filloj viti akademik 2013/2014. Nxënësit ishin të habitur me këtë vendim, pasi që, përnjëherë ata e kuptuan se janë maturantë. Na janë bërë nga dy palë maturantë në secilën shkollë!!! Imagjinoni tani çfarë do të bëhet në Universitet vitin e ardhshëm akademik?! Ku do të shkojnë të gjithë këta maturantë që gjysma prej tyre, u detyruan 1 vit para kohës të përfundojnë maturën?! Cila ishte arsyeja që e morët këtë vendim ju dhe bashkëpunëtorët tuaj zoti Ministër?!
Çka keni menduar për mësimdhënësit që do të mbesin pa punë pas shuarjes së klasave të trembëdhjeta zoti Ministër?! Vetëm në komunën time, në Gjilan, diku afër 70 mësimdhënës do të mbesin pa orë. Pa dashur të krijoj panik, por realiteti kështu është. Po nëse e llogarisim në çdo qytet të Kosovës, shumë lehtë e gjejmë numrin e përgjithshëm. Jeni të interesuar të zvogëloni papunësinë apo të rrisni atë?!
Mësimdhënësit e shkollave të mesme të ulëta i detyruat pas shumë vitesh punë në arsim, të vazhdojnë studimet e nivelit bachelor, të cilat studime pothuajse u vazhduan e besa edhe u përfunduan, e ata mësimdhënës u diplomuan. A ishte kjo vetëm një realizim i ndonjë projekti tuajin atje, apo vërtet menduat për të mirën e atyre mësimdhënësve dhe për të mirën e nxënësve tanë?! Sa është arritur qëllimi i mirë me këtë projekt?
Po ata që janë të diplomuar në shkollën e lartë, e që tani me Udhëzimin Administrativ për normativ mbi kuadrin profesional të arsimit nuk u lejohet të konkurrojnë e të punojnë, dhe as nuk u lejohet të vazhdojnë me studime të mëtutjeshme, çka duhet të bëjnë këta njerëz?! Pse ju mohohet kjo e drejtë?!
Vitin e kaluar erdhi KURRIKULA e famshme BËRTHAMË për shkollat e mesme të larta e që filloi me gjimnazin në Gjilan. U kundërshtua e u kritikua shumë nga mësimdhënësit, pasi që në shumë prej lëndëve të rëndësishme në këtë kurrikulë, ishin reduktuar orët. Por, mësimdhënësve të shkretë askush nuk ua vuri veshin!
Pse vendosët që gjimnazin nga 5 drejtime ta ktheni përsëri në atë dy drejtime siç ishte dikur?! Pse u kthyet mbrapa?! Sot, kur teknologjia e komunikimit dhe informimit ka marrë hov të madh të zhvillimit në gjithë Botën, orët e TIK-ut me këtë kurrikulë u reduktuan, me arsyetimin e disa hartuesve të kësaj kurrikule se “sot, secili po din me punu me kompjuter”!
Po vitin e kaluar, më kujtohet mjaft mirë që edhe plan programet e reja na erdhën prej Ministrisë së Arsimit, më datën 6 shtator, do me thënë pasi filloj viti akademik nëpër shkolla (1 shtator), me të cilat plan programe as që u fillua, me arsyetimin se janë sjellë vonë nëpër shkolla. Si mund të na sillni plan programe të reja 6 ditë pasi të filloj mësimi nëpër shkolla?!
I nderuari zoti Ministër! Deri kur do të vazhdojnë reformat apo më mirë thënë, kur do të përfundojnë ato, të paktën të kemi një stabilizim për një kohë më të gjatë, e jo, një vit ec para dhe vitin tjetër ktheu mbrapa?!
Në shkollat e mesme profesionale, mungojnë tekstet shkollore! Ne mësimdhënësit hasim në vështirësi në realizimin e plan programeve që na sillni, pasi që nuk kemi tekste shkollore. Vështirësi kanë edhe nxënësit.
Po vrasjet e nxënësve që ndodhën në disa qytete të Kosovës, kam menduar se do t’ju shqetësojnë më shumë?!
Udhëzimin Administrativ 06/2014 – Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta, edhe pas këtyre problemeve e vrasjeve që ndodhën, nuk e ndryshuat fare?! Ai udhëzim administrativ përshkruan kodin e mirësjelljes së nxënësve në shkollë, por masat disiplinore që duhet të merren ndaj nxënësve që e shkelin këtë kod, nuk janë aspak të qarta e konkrete. Këtë e them nga përvoja ime si anëtare e komisionit për masa disiplinore që isha në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, dhe që shpesh herë kemi hasur në vështirësi në zbatimin e këtij udhëzimi administrativ.
Kam përshtypjen se Ligjet e Udhëzimet Administrative po i bëjnë njerëz të kabineteve, të cilët ndoshta nuk kanë pasur rastin të punojnë më nxënës dhe t’i shohin gjërat në praktikë e të binden se sa është e vështirë për ne mësimdhënësit zbatimin e atyre ligjeve e udhëzimeve administrative…
Po më kategoritë (mësimdhënësit) të cilët, për shkaqe shëndetësore janë të detyruar të dalin në pension para kohës, keni menduar diçka për ta, apo 60 euro që i marrin ata, i kanë të mjaftueshme?!
I nderuar zoti Ministër, jeni i ngarkuar dhe i besuar në një detyrë të rëndësishme shtetërore, drejtoni një institucion që është baza e një shteti, prandaj mos bëni eksperimente me arsimin.
Për sot, shkrimin tim po e lë me kaq, me shpresë se të paktën, do t’i lexoni këto shqetësime të cilat nuk janë vetëm të miat por edhe të shumë mësimdhënësve të tjerë.
Saranda BLLACA – mësimdhënëse
Gjilan