Migrimi rrjedhojë edhe e standardeve të dyfishta të BE-së ndaj shqiptarëve
(2L ONLINE) – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë, ka organizuar të premten në Gjilan një debat me temë “A ka migrimi alternativë”?
Përgjatë këtij debati nga folësit u tha se fatkeqësisht edhe pas 15 vitesh pas luftës shoqëria jonë nuk po funksionon, shteti nuk po funksionon dhe se duke iu referuar migrimit të fundit të kosovarëve, u tha se po del që njerëzit nuk po e shohin më ardhmëri në vendlindje, por atë po e kërkojnë gjetiu. Po ashtu u fajësua edhe Evropa e cila po sillet me standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, e u potencua se nevojitet që shoqëria të jetë aktive nëse do ndryshime.
Flamur Hyseni, profesor universitar, ka thënë se migrimi nuk ka datë kur fillon e kur përfundon. Ai tha se në të ndikojnë disa faktorë si ai ekonomik, social e politik. Ai tha se edhe migrimin e fundit të qytetarëve duhet parë si diçka pozitive sepse qytetarët po lëvizin nëpër pjesën të cilës i përkasin, pasi migrimi po ndodh brenda territorit të Evropës. Por, ai ishte kritik për BE-në që po sillet me standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve, ndaj një vendi të izoluar, derisa qytetarët nga vendet përreth mund të lëvizin lirshëm.
Dardan Velija, një panelist tjetër tha se shqetësim përbën fakti që edhe pas 15 vite në liri, shoqëria jonë nuk arriti ta krijojë një vend ku jetohet mirë, ku ke qejf me jetue. Ai tha se nuk e kapitalizuam përkrahjen ndërkombëtare për të krijuar një shoqëri funksionale, se edhe më tej po trajtohemi si shoqëri postkofliktuale. Ka njerëz që po pasurohen në kurriz të shoqërisë, ka shumë parregullsi, por ne si shoqëri nuk jemi aktivë, po protestojmë për shumëçka, por jo për atë për të cilën duhet protestuar, tha Velija.
Sipas tij, kjo po ndodh pasi nuk e kemi një qëllim të përbashkët si shoqëri, që kishim dikur. Ai tha se shoqëria jonë si duket ka dhënë dorëheqje dhe se pa ndodh zgjimi letargjik 15 vjeçar nuk mund të presim ndryshime dhe qytetarët kanë me vazhdue me ik.
Dukagjin Gorani, opinionist, ka theksuar se Kosova është vend i vogël, por shoqëria nuk komunikon sa duhet në mes veti. Sipas tij, po del se njerëzit nuk po shohin ardhmëri në vendlindje. Ne mund t’i diskutojmë shkaqet.Gorani tha se të gjithë janë përgjegjës për këtë gjendje, ngase shoqëria e jonë e ka prodhuar këtë realitet. Gorani tha se në këtë vend nuk po funksionon shumëçka. Ai tha se ne si shoqëri nuk e kemi gjetur mënyrën se si të mbajmë shtetin.
“Si shoqëri, shteti na zuri të papërgatitur. Harruam se duhet të kemi përgjegjësi për shtetin, andaj sot migrimi e shumë probleme të tjera na kthyen në gjendjen që ishim dikur”, ka thënë Gorani.
Xhevat Aliu, drejtor i Qendrës për Punësim në Gjilan dhe gjeograf, ka thënë se migrimi në masë është me pasoja e që më tepër për shqiptarët, ngase ai tha se ne jemi një popullatë e vogël.
Aliu shtoi se edhe pasojat ekonomike do të jenë të mëdha, ngase mjetet e tyre i lanë rrugëve. “Është e vërtetë se ka skema subvencionimi, ka trajnime, por ato nuk kanë ndonjë vlerë të madhe për të riatdhesuarit”, ka thënë Aliu, për ët shtuar se nuk krijuam raport me shtetet evropiane që kanë nevojë për fuqi punëtore.
Ismet Azizi, gjeograf ka thënë se migrimi do të vazhdojë edhe më tutje, por jo në atë masë sië ishte. Ai tha se vazhdon të besojë se ka pas një skenar dhe se kjo, sipas tij i konvenon qeverisë, por dhe vendeve evropiane për shkak të shtimit natyrore te shqiptareve, andaj edhe nuk pret që ata të kthehen siç thuhet . Ai tha e ikje ka pas vetëm te shqiptarët derisa serbet dhe të tjerët nuk kanë migruar, ndërkohë që Muharrem Bajrami tha se tema te tilla duhet të jenë brengë e Kuvendit të Kosovës, e njerëzve që janë zgjedhur me votë, sepse skenat e ikjes nuk kanë guxuar të ndodhin dhe se ato e kanë prekur thellë.
Mustafa Hoxha, nj debatues tjetër tha se klasa intelektuale në Kosovë është fajtore për situatën e krijuar dhe se ndihet i zhgënjyer me shumëçka sikurse ka shumë vërejtje tek Akademia dhe akademikët të cilët nuk po punojnë për të ofruar zgjidhje për popullatën.
.mbi këtë temë të migrimit kanë folur edhe Shaban Terziu, Demir Krasniqi, Adelinë Sylejmani e pjesëmarrës të tjerë. /2L ONLINE/
