Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu bashkë me Shefin e Kabinetit të ministrit Pal Lekaj, Argjend Zejnaj, të martën realizoi vizitë në komunën e Gjilanit, me ç‘rast u pritën nga kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, me të cilin nënshkruan “Marrëveshje Bashkëpunimi për Financimin e rrugës nga Verbica e Zhegovcit deri në Sllovi të Lipjanit”.
Me anë të kësaj marrëveshje komuna e Gjilanit përfiton nga MI-ja projektin mbi 1.4 milionë euro për ndërtimin e rrugës Verbicë e Zhegovcit – Sllovi e Lipjanit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, tha se ky është edhe një tjetër investim në Gjilan nga Qeveria Haradinaj, duke premtuar se do të ketë edhe të tjera projekte për vitin e ardhshëm.
Kurse i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, duke e falënderuar zëvendësministrin Kadriu dhe Ministrinë e Infrastrukturës deklaroi se Anamoravës po i jepet vëmendja e merituar.