DYLON

‘Metropol’ u prezantua në “Talia…” me shfaqjen “GOF”

‘Metropol’ u prezantua në “Talia…” me shfaqjen “GOF”
Avatar photo Redaksia

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2022”, njëra ndër katër shtyllat e Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit” ka vazhduar rrugëtimin e saj me shfaqjen e natës së parafundit, ku në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit erdhi Teatri “Metropol” nga Tirana me shfaqjen “GOF”, nga Anton Pashku, me dramaturgji dhe regji nga Shkëlzen Berisha.Drama “GOF” e Anton Pashkut është cilësuar si vepra e parë shqiptare e absurdit, e që në rrafsh formal, stilistik e tipologjik është unike, erdhi sonte për artdashësit gjilanas e më gjerë, duke e pasuruar me konvencione të reja dramaturgjikisht dhe për nga teknikat regjisoriale:

Nën këtë dritë të re dramaturgjike ngjarjet na çojnë në një kasolle malit përpjetë, ku kanë mbetur të ngujuar tre alpinistë, që ishin nisur për të shkuar në bjeshkët e nemuna, e që të izoluar nga orteku dhe në përpjekje për të mbushur kohën e pritjes, ata përshkojnë një rrjedhë historike të jetës së shqiptarëve ndër shekuj dhe përplasjeve të mëdha që kanë shoqëruar këtë histori, të ngjarjeve më të mëdha që shqiptarët kanë kaluar e deri më sot.

EkoHigjiena

Mes durimit e mosdurimit të personazheve shfaqen copëza të shkëputura nga fjalimet e Skënderbeut, periudha e pashallëqeve, gjurmë të përpjekjeve për shtet, pjesë nga luftërat me të huajt, moskuptime mes vetes…

Synimi i përgjithshëm ishte që përmes thumbit e ironisë të nxitje reflektim, jo mesazhe. Kjo shfaqje që qëndron nën ombrellën e absurdit, ka ecur në këtë rrugë të re duke u pasuruar edhe me shtresime të satirës, sarkazmës dhe edhe momente surreale e një ngjyrim të zbehtë fizik të burleskës.

Përndryshe, në shfaqjen: “Gof” me autor Anton Pashku e me dramaturgji e regji nga Shkëlzen Berisha, luajtën: Amri Hasanlliu, Endrit Ahmetaj, Julian Hurdha.

Kënga: Mihal Kaçi, Ketjona Pecnikaj;  As/regj Mihal Kaçi; Skenografia: Divni Gushta; Kostumograf: Frenci Gjerasi.

Në mbrëmjen e fundit, më 28 janar, pritet të jepet shfaqja “Stiffler” nga Doruntina Basha, me regji të Kushtrim Koliqit, që është prodhim nga “Integra”, me këtë rast edhe do të bëhet ndarja e çmimeve të parapara dhe do të përmbyllet Festivali i sivjetmë i Dramës Shqipe, por jo edhe aktivitetet e “Flakës…”, që do të vazhdojë deri më 31 janar, ku sipas programit  janë të parapara aktivitetet muzikore (Festivali i muzikës për fëmijë dhe i muzikës popullore) dhe ajo letrare (Ora e Madhe Letrare). /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.