Metodat për diagnostikimin e kancerit të gjirit
Vetë kontrollimi i gjinjve
Në diagnostikimin e kancerit të gjirit ka rëndësi vetë kontrollimi i gjirit që duhet të bëhet një herë në muaj. Para dhe gjatë menstruacionit gjinjtë janë zakonisht të shtrënguara dhe me dhimbje për ç’arsye më së miri është që gjinjtë të kontrollohen pas menstruacionit. Kjo shprehi nevojitet të përsëritet tërë jetën.
Vetë kontrollimi bëhet në pozitë të shtrirë dhe në këmbë. Kjo duhet filluar shumë herët menjëherë pas moshës së pubertetit në mes të moshës 15-20 vjeçare. Edhe pse kanceri i gjirit është shumë i rrallë në këtë moshë vetë kontrollimet janë të nevojshme të bëhen sepse në këtë moshë mund të lajmërohen ndërrimet beninje siç janë fibroadenomat që duhet operuar ose duhet mbajtur nën kontroll.
Ekzaminimi klinik i gjinjve
Ekzaminimin klinik te gjinjve e kryen mjeku, ajo përbëhet nga: anamneza, inspekcioni dhe palpacioni. Arsyet për ekzaminim klinik mund të jenë: dhimbja në gjinj, sekrecioni prej gjirit, nodusi në gjinj, inflamacioni, rritja e gjëndrave limfatike në aksillë. Grupit të rrezikuar i takojnë gratë me menarhe të hershme, menopauzë të vonshme; gratë që nuk kanë lindur, kur lindja e parë ka qenë pas moshës 30-35 vjeçare; gratë që nuk i kanë dhënë fëmijës gji ose i kanë dhënë një kohë të shkurtë; gratë me anamnezë familjare pozitive.
Mamografia native
Mamografia native bën diagnostikimin e tumoreve jopalpabile me madhësi 5mm dhe mikrokalcifikateve. Indikacioni për mamografi ekziston nëse palpohet ndonjë nodus që është suspekt për proces malinj. Te gratë e moshës mbi 40 vjeç, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mamografia, preferohet të bëhet një herë në vit.
Gjatë fotografimit gjiri komprimohet me kompresor plastik me ç’rast i zvogëlohet trashësia e gjirit. Mbi gjinj është gypi i rëntgenit prej nga nëpër gjinj kalojnë rrezet e përshtatura trashësisë dhe dendësisë së gjinjve dhe regjistrojnë vizatimin e indit të saj në filmin e rëntgenit të vendosur në kasetën për film e cila gjendet nën gjinj, shkruan femina.al, përcjellë Klan Kosova. Mamografia bazike te gratë me anamnezë familjare pozitive duhet të bëhet në moshën 30- 35 vjeçare, mbi moshën 40 vjeçare, mamografia duhet të bëhet çdo vit.