Mbarë njerëzimi po kalon një kohë të vështirë duke u përballur me pandeminë. Rikthimi i jetës normale duket se do të vonojë!
Shkruan: Arijeta Rexhepi – 2LONLINE.com
Rritja e numrit të rasteve në komunën e Gjilanit- zona me ngjyrë të kuqe tregon se jemi me një zonë të rrezikshme në ballafaqimin me pandeminë. Por si po zhvillohet mësimi në këtë kohë të vështirë, a janë ofruar kushtet për zhvillimin e mësimit sa më cilësor?
Edhe mësimdhënësit e nxënësit, personeli teknik në shkolla po ballafaqohen drejtpërdrejtë me problemet që po sjell pandemia. Në komunën e Gjilanit kemi një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve e nxënësve të infektuar, ku pa dyshim është mundësia e kontakteve dhe përhapjes së virusit Covid-19 edhe pse mundohen të mbajnë distancën, maskat, dezinfektimin e duarve, pra duke ju përmbajtur udhëzimeve të IKSHPK.
Në shkolla të komunës tonë cikli 1-9 mbajnë mësimin në dy grupe , me orë mësimore prej 20 minuta pra duke punuar me skemën A të udhëzuesit të përpiluar nga MASH .
Për mësimdhënësit zhvillimi i mësimit në këtë formë vërtetë është një lodhje sa fizike aq edhe psikologjike. Por është shumë e rëndësishme ardhja në shkollë e fëmijëve edhe pse me një orë mësimore mjaft të shkurtër.
Rritja e të infektuarve në komunën tonë është shqetësuese sidomos në disa shkolla fillore që kemi numër të madh të të infektuarve si nga mësimdhënësit edhe nxënësit e cila po krijon rrezik për shëndetin, përhapje të virusit gjithashtu edhe vështirësi në nxënie duke humbur orë mësimore.
Në këto raste është planifikuar skema B e zhvillimit të mësimit! Plan I cili parasheh mësimin e kombinuar në shkollë dhe nga distanca. Edhe pse mësimi nga distanca nuk është opsioni më i mirë por mbrojtja e shëndetit duhet të jetë primare për të gjithë.
Për të zhvilluar mësimin duke u përmbajtur skemës B, DKA nuk ka përgatitur shkollat me infrastrukturë ku do të mund të zhvillojnë mësimin nga distanca, për të cilin mësim është e domosdoshme që disa shkolla të fillojnë me këtë skemë, sepse ka numër të madh të të infektuarve.
Nuk ka siguruar rrjet interneti të qëndrueshëm brenda shkollës, nuk ka siguruar laptop për të gjithë mësimdhënësit, e mos të flasim për trajnimet adekuate për mësimin në distancë. Por, Komuna e Gjilanit nuk e ndërmerr këtë hap pavarësisht që gjendja është e vështirë, duke ju kujtuar që nuk kemi edhe vende të mjaftueshëm për t’u shtrirë në spital.
Task Forcat e krijuara në nivel të shkollave si duket nuk përcjellin gjendjen reale apo nuk merren parasysh raportimet e tyre pranë Task Forcës në nivel të DKA dhe IKSHPK.
Kemi ardhur në këtë gjendje duke hapur shkollat pa u përgatitur, pa buxhet, pa staf rezervë, pa personel shëndetësore nëpër shkolla.
Tani po e leni në rënie të lirë! /2LONLINE.com/
/autorja është mësimdhënëse dhe anëtare e Kuvendit Komunal në Gjilan – nga Lëvizja Vetëvendosje/