Zvarritja e projektligjit për kompensim të mësimdhënësve duhet të marr fund
Nexhat BUZUKU
(2LONLINE) – Çështja e kompensimit të mësimdhënësve duhet të kryhet pashmangshëm, pashtyeshëm, pra pa vonesa burokratike dhe dilematike, o sot o nesër. Mësimdhënësit presin që puna e kompensimit për punën e tyre të kaluar të kryhet meritueshëm dhe në mënyrë të dinjitetshme, duke respektuar dinjitetin e këtyre njerëzve, që në kohë robërie u ngritën mbi terrin për të dritësuar e ndriçuar rrugën e lirisë, dhe në kohë paqeje vazhdojnë rrugëtimin që dituria të jetë themeli dhe bazamenti i shtetndërtimit.
Duhet të përfundojë zvarritja e kompensimit të stazhit të paraluftës. Punëtorët e arsimit, të gjithë pa dallim, pa vonesa të mëdha, duhet të marrin kompensimin, ashtu siç ishte thënë e paralajmëruar, me 2015. Mësimdhënësit që bënë punën në mënyrën meritore, në kushte skajshmërisht të rënda, duan t’u respektohet dinjiteti personal, profesional e njerëzor. Ata kryen misionin e tyre në kohën e duhur.
Ata u treguan dhe u dëshmuan qëndrestarë në periudhën e vështirë, por vendimtarë për rininë, për popullin e Kosovës. Puna përkushtuese, e mundimshme, sakrifikuese e mësimdhënësve atë kohë pengoi ikjen e të rinjve jashtë vendit. Mësimdhënësit, qëndrestarët e atdheut, mbajtën shkollat hapur, edhe jashtë objekteve shkollore nga të cilat i përzuri shkelësi. Ata çdo objekt, kthinë, bodrum e kthyen në dritë, në shkollë, vetëm që të mos ndalej shkëndija e dritës së arsimit shqip, kur çdo gjë mbi atdhe ishte mbërthyer nga pesha e territ, frikës dhe tmerrit.
Mësimdhënësit nuk e bënë punën e tyre që nesër, pra sot, të kërkonin kompensim, ata nuk e kryen një mision të vështirë, gati të pamundshëm, që në distancën e sotme kohore, apo shikuar në retrospektivë, prapakthim përceptual, analitik e mendor, duket mitike e madhështore, njëkohësisht. Mirëpo, mësimdhënësit e asaj kohe, të atyre viteve, që punuan në kushte shumë të rënda, sot kanë nevojë për mbështetje, pra për kompensim material dhe jo moral.
Pse, prandaj, mësimdhënësit duan patjetër kompensimin për punën e bërë? Pse ata duan që pa zvarritje të dorëzohet në Komisionin Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Kosovës? Sepse, shumë nga ajo gjeneratë mësimdhënësish po vdesin nga sëmundje të ndryshme, nga kushtet e rënduara ekzistenciale. Ngase, shumë sish nuk po arrijnë një stabilitet minimal ekonomik – material (financiar) për një mirëqenie modeste dhe të dinjitetshme. Shumica sish jetojnë keq, mezi jetojnë në aspektin material e me shëndet të rrëzbitur.
Mësimdhënësit e periudhës 1990-99 punuan për kombin e atdheun, por sot atyre duhet t’u paguhet, më saktë, t’u shpërblehet sakrifica, nëse për asgjë tjetër, atëherë për t’ua bërë më të përballueshme jetesën, atyre personalisht dhe familjeve të tyre. Institucionet e vendit duhet ta kuptojnë se mësimdhënësit nuk arritën kurrë të bëhen të pasur, të jetojnë në luks, këtë nuk e duan as sot, ndërsa një kategori njerëzish që nuk kaluan nëpër rrugën që bënë mësimdhënësit, as nuk u sfiduan kudo, me shantazhe, biseda informative, frikësime e kërcënime, arrestime e ndjekje të vazhdueshme, u bënë të pasur, madje shumë shpejt.
Fundja ky shtet dhe ky vend nuk është vetëm i një klase politike, cilado qoftë ajo, nuk është vetëm i një kaste politike, nuk është vetëm i parlamentarëve, as vetëm i qeveritarëve, as vetëm i bankierëve, as vetëm i zyrtarëve, as vetëm i bijëve, bijave, nipërve, mbesave, filanit e fistekut dhe atyre në shërbim të klaneve politike. Ky shtet dhe ky vend, prandaj duhet të jetë i të gjithëve, edhe i mësimdhënësve të asaj e kësaj kohe, edhe i fëmijëve të tyre.
Projektligj për statusin e punëtorëve të arsimit shqip në vend gjatë viteve 90-ta duhet të miratohet sivjet. Kompensimi për stazhin e paraluftës, që iu dha si premtim punëtorëve arsimorë të inkuadruar në procesin mësimor gjatë viteve 1990-99, ende nuk është dorëzuar si projektligj i përmirësuar dhe plotësuar nga Qeveria, në Komisionin Parlamentar për Arsim.
Ky projektligj, që pritet të kushtojë rreth 100 milionë euro, për rreth 20 mijë mësimdhënës kosovarë, aq sa llogaritet se kanë qenë të angazhuar në periudhën dhjetëvjeçare (1990-99) në procesin mësimor, ka mbetur që nga viti i kaluar ende në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës (MASHT) për ndryshim dhe plotësim.
Projektligji ishte paraparë që në muajin prill 2013 të dalë në diskutim të jashtëm publik, dhe menjëherë t’i dërgohet Qeverisë për shqyrtim, si dhe në shtator të atij viti t’i dërgohet Kuvendit për aprovim. E pse atëherë legjislativi, pra ky Komisioni Parlamentar për Arsim, që paguhet nga taksa e qytetarit, madje deputetët kanë paga mujore gati aq sa merr një mësues brenda një viti.
Prandaj, institucionet përkatëse, përgjegjëse në vend duhet ta procedojnë këtë projektligj, ta shtyjnë tutje në komisionin e lartcekur dhe të miratohet pa vonesë, në mënyrë që nga janari 2015 të fillojë kompensimi material i mësimdhënësve.
Është kërkesë e mësimdhënësve, e dëgjuar kudo, në secilin kolektiv, dhe nga ata që tashmë janë në pension, edhe nga familjet që u kanë vdekur prindërit e tyre që kanë punuar në shkolla me 1990-1999, që kompensimi material t’u ipet në të gjallë të tyre, dhe në asnjë mënyrë tjetër, jo në pension, jo më vonë, etj.
Çështja e kompensimit të mësimdhënësve duhet të kryhet pashmangshëm, pashtyeshëm, pra pa vonesa burokratike dhe dilematike, o sot o nesër. Mësimdhënësit presin që puna e kompensimit për punën e tyre të kaluar të kryhet meritueshëm dhe në mënyrë të dinjitetshme, duke respektuar dinjitetin e këtyre njerëzve, që në kohë robërie u ngritën mbi terrin për të dritësuar e ndriçuar rrugën e lirisë, dhe në kohë paqeje vazhdojnë rrugëtimin që dituria të jetë themeli dhe bazamenti i shtetndërtimit.
Çështja e kompensimit të mësimdhënësve duhet të kryhet pashmangshëm, pashtyeshëm, pra pa vonesa burokratike dhe dilematike, o sot o nesër. Mësimdhënësit presin që puna e kompensimit për punën e tyre të kaluar të kryhet meritueshëm dhe në mënyrë të dinjitetshme, duke respektuar dinjitetin e këtyre njerëzve, që në kohë robërie u ngritën mbi terrin për të dritësuar e ndriçuar rrugën e lirisë, dhe në kohë paqeje vazhdojnë rrugëtimin që dituria të jetë themeli dhe bazamenti i shtetndërtimit. /2lonline/