Mr. Zejnullah Jakupi
Në diskursin tonë publik akoma dominon mentaliteti tradicional i të menduarit se vetëm politikanët me mesazhet e tyre drejtuar votuesve (publikut), përmes shkrimeve editoriale (ose paraqitjeve të tyre në debate në TV dhe në emisione tjera televizive etj), krijojnë “realitetin faktik”.
Se çfarë mendojnë votuesit për programet politike ose mesazhet e tyre, fare pak vihet në diskutim(ose nuk ka një qasje kritike rreth kësaj çështje)?! Ndonëse premtimet dhe fjalimet politike mund të jenë në thelb të arsyeshme, ato medoemos “mund” të interpretohen ndryshe nga votuesi, edhe pse ky i fundit nuk ka ndikim në konstruktimin e përmbajtjes së mesazhit politik, megjithatë ka medoemos mundësi ta interpretoj atë në mënyrën e vet.
Mënyra e dekodimit “ndryshe” i jep mundësi votuesit të krijojë ose të rikrijojë një “interpretim” tjetër të mesazhit politik: Këtu do vijnë në shprehje tri alternativa; do shpërblesh ose ndëshkosh partinë e caktuar me votën tënde, do “kundërshtosh” mendimet ose qëndrimet dominonte të një ideologjie apo të një programi të caktuar politik ose do të mbetesh opozitë ndaj saj (shih interpretimin teorik të kodimit dhe dekodimit të përmbajtjeve semantike të autorit britanik S. Hall bazuar në idetë fillestare të sociologut amerikan F. Parkin).
Kodimi dhe dekodimi i një botëkuptimi(diskursi), teme(teksti), sipas S. Hall bëhet në tri mënyra; kodimi a.)dominant, b.)negeociues dhe 3.) ai opozitar:Kodimi(vlen për autorin që plason mesazhin) apo dekodimi dominant 1.) vjen në shprehje atëherë kur recipienti (votuesi- vrejtja ime!)pajtohet me mendimin e votuesit, ndërsa ai 2.) negocuos, ndodh atëherë kur votuesi e merr si të mirëqenë mendimin dominant. Me këtë rast votuesi e pranon atë që i duket e arsyeshme dhe e kundërshton ose e interpreton ndryshe pjesën që nuk i pëlqen dhe 3.), dekodimi opozitar; vije në shprehje atëherë kur e kundërshton plotësisht mendimin e koduar duke qëndruar në opozitë dhe duke e kundërshtuar kodimin nga koduesi.
Mesazhet e koduara politike në fushata elektorale votuesit i duhet ti dekodojë ato. Ky i fundit është ambienti i jashtëm i diskursit politik. Rol vendimtar paraqet struktura e identitetit të dekoruesit dhe konteksti i tij social e politik. Po na ky kontekst shoqëroro-politik, “baza dhe superstruktura”, ai mund të jetë kritik, por nuk mungon edhe ai naiv dhe i pa informuar dhe jo kritik.
Premtimet elektorale ndaj një çështje interpretohen me automatizëm si të rëndësishme dhe objektive. Në shumtën e rasteve votuesve ju imponohet një rol pasiv me që rast injorohen relacionet e tyre sociologjike, anashkalohet fakti se votuesi është instanca e fundit e kodimit të përmbajtjeve semiotike. Rrjedhimisht votuesi nënshkruan fatin se kush do të qeverisë e kush do të mbetet në opozitë. Që të vije deri te ky vendim votuesit i duhet informimi përmes medieve dhe komunikimit ndër-personal. Me këtë mund të thuhet se procesi i këtij këmbimi të anasjelltë, si kodimi ashtu edhe dekodimi i mesazheve politike nuk mund të jetë objektiv dhe neutral.
Përmbajtjet e koduara janë gjithnjë të ndikuara, sepse vet gjuha është semotike është e interpretueshme dhe shërbehet me element ideologjik. Në këtë kuptim politikani mund të “keqinterpretohet”, në momentin kur mesazhi i tij lexohet, jo si dëshiron ai, por si e interpreton votuesi. Për këtë shkas nuk mund të ketë një mesazh “super objektiv” por vetëm një krijim të interpretueshëm. Dekodimi i mesazheve politike ka gjithnjë si bazament të kuptuarit të shenjave semantike dhe është gjithashtu i ndikuar nga konteksti shoqëroro politik (Vetëm gjuha është teknike por jo përmbajtja e saj- mesazhi)
Sipas F. Saussure sendet nuk ekzistojnë me emërime reale por kanë kuptim vetëm semantik. Ndonëse mbetet një pikëpyetje e madhe nëse ato përshkrime vërtetë pasqyrojnë objektet e caktuara në botën reale. Siç dihet në gjuhë të ndryshme kemi përshkrime linguistike të ndryshme për objektet e ndryshme. Këtu shtrohet pyetja: Sa përkon përshkrimi semiotik i një objekti me realitetin “objektiv” të tij në botën reale?
Të njëjtën pikëpamje në lidhje me tekstet dhe interpretimin e tyre e ka theksuar Ronald Barthes. Sipas Barthes teksti prodhohet kushtimisht jo nga aktanti, në këtë rast nga politikani por nga votuesi (publiku). Kjo pikëpamje i jep mundësi votuesit të kundërshtojë kuptimin ose interpretimin e përcaktuar dominant. Me këtë votuesi kritik, thënë kushtimisht, nuk do të mund të manipulohet nga përmbajtja e mesazheve. Ai do prodhoj argumente tjera kundruall atyre që thotë politikani ose programi i partisë së tij duke krijuar kështu një përmbajtje alternative të mesazhit.
Me këtë votuesi fuqizohet si instanca e fundit e cila dekodon mesazhet e iniciuara nga aktori politik. Megjithatë, dilemat lidhur me idealizimin e leximit të “kundërshtimit” ekzistojnë, sepse një pjesë e votuesve të caktuar nuk qëndrojnë në një linjë të njëjtë me partinë e caktuar dhe programin e saj, ose nuk mund ta ndërrojnë në tërësi realitetin e krijuar politik. De facto pushtetin mbi mesazhin politik nuk mund ta ketë vetëm njëra anë, por dyja palët: si politikani ( partia e tij)po ashtu edhe votuesi.
Ndërkohë politikani, i cili jep mesazhin,duhet të jetë popullor, të ketë një dioptri më të gjerë e të theksuar në pikëpamje, ato duhet të jenë shumëdimensionale, përmes së cilave shpreh (ose interpreton) mendime të shumëllojta pro dhe kundra duke shpie kështu në një debat drejt një kohezioni dhe mirëkuptimi shoqëror me interes publik. E njëjta do të vlej edhe për votuesin.
Në raste tjera, jo ideale, politikani naiv, bënë një konstruktim të realitetit kufizues duke u mbështetur në një vij të caktuar institucionale dominonte fetare apo politike me qëllim të caktuar për të përkufizuar realitetin e imagjinuar faktik. Një politikan idealist, ose parti politike idealiste, duhet parimisht të jetë kozmopolite, të marr mbi vete përgjegjësi më shumë se ata që interpretojnë ose kundërshtojnë përmbajtjet semiotike.
Politikani kushtimisht (kjo është edhe kërkesë normative) do të duhej të jetë instanca moralizuese e përgjegjshme dhe përgjegjëse për dhënien dhe shpërndarjen e mesazheve në publik. Edhe pse ai nuk është i gjithëdijshëm, i “shenjtë”, vizioni i politikanit bashkëkohor duhet të jetë i përafërt me një ndërmjetësues e vizionar të moderuar, racional dhe të gjithanshëm. /2lonline/