Mesazh urimi i presidentit Ademi për 4-vjetorin e pranimit në UEFA

Mesazh urimi i presidentit Ademi për 4-vjetorin e pranimit në UEFA

Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, ish-zyrtarë të futbollit, ish-futbollistë, anëtarë të FFK-së, ju Dardanë e tifozë tjerë të klubeve, partnerë afaristë, sponsorë e donatorë, gazetarë sportivë;

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Katër vjet më parë ëndrra jonë e madhe u bë realitet. Kosova përfundimisht u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s në Kongresin e Budapestit më 3 maj, 2016. Kësisoj, kjo datë hyri në analet e historisë së futbollit tonë, duke e shënuar thyerjen e izolimit prej 25 vjetësh.

Anëtarësimi në familjen evropiane të futbollit e kurorëzoi sakrificën e shumë gjeneratave të futbollit, donatorëve që e mbajtën gjallë futbollin dhe punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës, që nga kryetari i parë pas mëvetësimit, Agim Bytyçi me KE, pastaj Rexhep Abdullahu me KE, Sabri Hashani me KE e që gjithçka u finalizua nën udhëheqjen e legjendës Fadil Vokrri.

Këtë përvjetor sivjet po e shënojmë në kushte të pazakonta, ku e gjithë bota është në një lloj izolimi nga pandemia Covid-19 dhe si rrjedhojë është pezulluar edhe aktiviteti i futbollit.

Pa dyshim, ne, si popull dhe si komunitet i futbollit në Kosovë, e dimë më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë të jetosh e të veprosh në kushte izolimi.

Megjithatë, edhe në rrethana të tilla asnjëherë nuk na u zmbraps dëshira, vullneti dhe përkushtimi për ta mbajtur të gjallë futbollin e Kosovës dhe për ta bërë atë pjesë të familjes së madhe UEFA.

Personalisht besoja se ky përvjetor do të na gjente me biletën e siguruar për Euro 2020, por fati ishte i tillë që kalendari i garave ndryshoi si pasojë e Coronavirusit dhe tani realizimi i ëndrrës sonë madhore për kualifikim në Evropian u shty për disa muaj.

Sidoqoftë, ajo çfarë kemi arritur në këto katër vjet si anëtar të UEFA-s ka bërë që të vlerësohemi nga të gjitha anët e globit me notat më të larta si një storie suksesi. Por, nuk do të ndalemi me kaq! Periudha e ardhshme katërvjeçare do të jetë edhe më e ndritur, si në nivelin e Kombëtares, ashtu edhe në nivelin e ligës. Tashmë kemi filluar me investime kapitale për krijimin e kushteve sa më të mira për ekipet zinxhir të Kombëtares, derisa në bashkëpunim me institucionet e niveleve lokale dhe qendrore do të ndërtojmë fusha futbolli në çdo qytet.

Normalisht, se në këtë rrugë të suksesshme aty-këtu po hasim pengesa, por si president i FFK-së zotohem që së bashku me Komitetin Ekzekutiv do të vazhdoj punën e drejtë me krenari e përgjegjësi, në mënyrë që të gjithë pjesëtarët e komunitetit të futbollit në Kosovë të ndihen mirë dhe me kushte të volitshme për zhvillimin e lojës së futbollit.

Ne jemi të bekuar që kemi djem fantastik që po mahnitin me talentin e tyre kudo në Evropë dhe që po luajnë me aq shumë përkushtim për Kombëtaren tonë. Po ashtu, jemi krenar edhe me tifozët tanë ‘Dardanët’ që për këto katër vjet dëshmuan kulturë të lartë evropiane në tribunat e çdo stadiumi ku ishin të pranishëm në përkrahje të djemve tanë dardanë.

Prandaj, edhe një herë në emër të Komitetit Ekzekutiv, si president i FFK-së ju uroj këtë përvjetor të gjithë komunitetit të futbollit, me shpresën dhe besimin që 5-vjetorin e anëtarësimit në UEFA do ta shënojmë duke e realizuar një tjetër sukses historik – kualifikimin në Evropian, por njëkohësisht edhe me paraqitje dinjitoze të klubeve tona në garat evropiane.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!

Urime e na priftë e mbara!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

KOMENTE