Mesazh urimi i Naim Aliut, kryetarit të KBI në Gjilan me rastin e Kurban-Bajramit

Mesazh urimi i Naim Aliut, kryetarit të KBI në Gjilan me rastin e Kurban-Bajramit

Të nderuar vëllezër e motra!

Nesër, është dita e parë e Kurban-Bajramit, e cila vjen si rezultat i kryerjes së Haxhit dhe prerjes së Kurbanit, përmes të cilave shfaqet mëshira e Allahut xh.sh. për besimtarët, mëshirë e cila determinohet duke bartur secila në mënyrën e vet vlerat më fisnike e më madhore për individin, familjen dhe shoqërinë.

Prandaj, më lejoni që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan dhe në emrin tim, t’jua uroj festën e Kurban-Bajramit, duke e lutur Allahun xh.sh. për mirëqenie, lumturi dhe shëndet.

Çdo festë ka vlerat në të cilat mbështetet, ndërsa vlerat e Kurban- Bajramit manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit, humanitetit, drejtësisë e barazisë mes njerëzve, duke bartur me vete porosinë e mirëqenies dhe paqes mbarënjerëzore.

Sot në Arafatit një numër i madh i vëllezërve dhe motrave tona, nga të gjitha trojet tona etnike, u janë bashkangjitur lutjeve të miliona haxhinjve nga e gjithë bota, të cilët e lusin Allahun xh.sh. për mëshirë e falje.

Edhe unë sot, në natën e festës së Kurban-Bajramit, thërras të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të jenë më humanë dhe më solidarë, më mëshirues e bujarë, që të ndihmohen skamnorët, jetimët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë, që sofra e tyre, qoftë edhe vetëm gjatë këtyre ditëve të festës të jetë më e begatë.

Duhet pasur parasysh se vlerat e kësaj feste mbështeten në haxh dhe prerje të kurbanit, që janë udhëzime hyjnore që e shoqërojnë njeriun gjatë tërë jetës së tij. Ngase këto porosi janë mision i shpirtit, mendjes, trupit, ndërgjegjes, vullnetit, porosi të cilat thërrasin në pastrimin e shpirtrave nga urrejtja e xhelozia, nga egoizmi dhe pangopësia, ndërsa libri i Allahut veçse na ka udhëzuar në punë të mira, në respekt ndaj njëri-tjetrit, solidaritet e vëllazërim mes çdo njeriu. Kjo për arsye që në mesin tonë të mos ketë divergjenca e interesa parciale, por të bashkojmë forcën e besimit me atë intelektuale, për të ecur para të sigurt, ngase kjo është edhe porosia e Kurban-Bajramit.

Duke e pasur parasysh se Kurani është shpjeguesi më i mirë i universit, është çelësi dhe thesari i mirësive të Krijuesit, është drita dhe harta e drejt orientuese, shpjegues dhe komentues i të vërtetës, udhëzues i botës kah humanizmi, kërkoj nga ju që këto vlera t’i mishëroni në shpirtin tuaj, të largoni nga vetja familja dhe shoqëria çdo gjë që shkon në dëm të ardhmërisë së vendit, fëmijëve tanë, duke e humbur edhe dinjitetin pse u krijuam.

Të nderuar vëllezër dhe motra

Më lejoni që edhe një herë t’jua uroj festën e Kurban-Bajramit të gjithë vëllezërve e motrave, brenda dhe jashtë trojeve tona, kudo që ata gjenden nëpër botë.

Me fat ju qoftë festa e Kurban – Bajramit!

Naim Aliu

KOMENTE