Mes dy dashurish!
Shkruan: Albrim Badallaj
(2L ONLINE) – Refuzimi shpeshherë i paraprinë një rrugëtimi të ri. Të refuzosh nuk do të thotë që mund të largohesh nga varësia që ta ofron dashuria dhe vetë jeta. Jo çdoherë pasioni është padron i dëshirave, mirëpo dashuria dhe urrejtja janë relativisht të njëjta, sa i përket substancave që ndërhyjnë në to. Urrejtja e madhe ndonjëherë kalon në dashuri dhe është proces reverzibil. Reaksioni gjithmonë në vete e mbartë edhe kundër-reaksionin, kështu e thotë ligji univerzal.
Gjendemi në epokën e atillë ku aq shumë janë tollovitur ndjenjat, saqë oportunizmi ynë ka arritur vlerat ekstreme, mirëpo ato negative. Kush i priu gjithë atyre lëvizjeve që na bënë ta mallkonim vetën për situatën e krijuar?! Lehtë, sikur uji që puthitet për te shuar etjen, aq lehtë është të fajësosh të tjerët. Një jobarazi tejet e theksuar me homologët euro-perëndimorë. Pasurisë së shumëpërfolur të vendit tonë, si rinia, i ka humbur vlera kohëve të fundit, ashtu siç i humb monedhave tjera karshi Dollarit.
Të duash vatanin me krenari të thyer apo të përmbushësh satisfaksionet elementare për jetë nëpër dyert e vendeve pa prag në botë !
Janë shteruar gjitha mundësitë për mbështetje të kësaj shoqërie në tranicion, bile edhe ato morale. Besoni, propagandave tërheqëse për njerëzit shpeshherë i paraprijnë edhe “pushteti i pestë” siç janë mediat, të cilat, disa prej tyre me lajmet që na servojnë na ri-kthejnë në epokën e luftërave, e disa tjera na bëjnë që të kemi nostalgji për atë epokë.
Kurrë më të papasur s’kemi qenë. Ne jemi shquar se edhe kur nuk kemi pasur të mira materiale, një fjalë të mire që buronte nga zemra e kishim. Sot edhe ai virtyt nuk na ka mbetur. Sa do që flasim për shkaqet e mosbesimit fillimisht në vete e pastaj në vatan, është irrelevenate kjo temë, pasi që trajtohet si një trup që kokë ka, por bishti i mungon. Ndoshta edhe pikënisja buron nga aforizmi se Dashuria të shpie në fund të botës. Dashuri të keqe nuk ekziston, por dashuri për ekzistencën paska. Është dashur të kuptohet me kohë edhe ky version i dashurisë.
Gjithmonë ajo krenaria, sado e thyer që është, prapë nxitëse për ndryshim mbetet. Të bëhesh optimist thua se si njerëzit e një kombi (s)mund të jenë krenar kur jetojnë në liri ?! Apriori të gjithë jemi modernizuar, duke i hedhur matan gjithë ato tradita e kulturë të trashëguar ndër shekuj. Të përdalët të shesin moral, i çmenduri të jep mend, i pagdhenduri të jep mësim.
Sakrifica më e lehtë dhe njëherit më e madhe që mund ta ketë e ta bëjë njëkohësisht një individ është ikja. Flakja e së kaluarës matan krahëve për një jetë më të mirë, e cila sipas proklamimeve i ngjason “Tokës së Premtuar“,është më se aktuale. Kafazi sado i gjerë të jetë, prapë kafaz mbetet.
Pra, kjo Evropë e cilësuar si vend i shenjtë, për disa analistë e opinionist, qenka shkaktarja kryesore e kësaj gjendje. Ç’paskan më tepër se ne popujt sllavë e bullgarë, që iu ipet e drejta e lëvizjes së lirë. A jemi i njëjti popull shqiptarë në Kosovë, i cili gjatë viteve të paraluftës, kur ishim krahinë autonome e Jugosllavisë dilnim të lirë nëpër Evropë e Botë.
Gjithnjë jemi cilësuar si njerëz të urtë e të punës. Apo maqedonasit e pa identitet kombëtar qenkan popull më me vlera se ne, ose ndoshta greket, ky popull problematik që përveç Ballkanit dhe Evropës edhe Bankës Botërore po i sjellë probleme, falë privilegjeve të ofruara ndër dekada. Si duket ende na krahasojnë me vendet e “Botës së tretë”.
Ne si komb kemi sakrifikuar shumë, tejmase bile. Fillimisht si të përndjekur lamë vatanin për çështje politike, të ndjekur pastaj nga eksodi i ’99-së. 15 vite paslufte u bënë, pesëmbëdhjetë! Ku është Evropa të na gjejë zgjidhje, apo më lehtë kështu manovrojnë me ne, saherë që duan të bëjnë politikë në Ballkan. Ekziston edhe ligji i padurimit mos të harrojmë. Klasat shoqërore kanë filluar të përmbysen. Pse ne duhet të jemi të privuar nga këto privilegje, ku krahasohemi thuajse gabimet e prindërve duhet ti pësojnë fëmijët. Shahet Komunizmi, por në vete ato fyerje mbajnë edhe nostalgji për atë epokë. Problemi duhet të zgjidhet me themel.
Edhe vet deklaratat e liderëve të ndryshëm evropian janë nxitëse. Të analizosh në kontekst, shpeshherë dëgjojmë duke thënë se : “Duhet të luftoni për një jetë më të mirë”. Për shumëkënd kjo frazë mund të jetë nxitëse e veprimeve të ndryshme që i ndërmarrin në jetë. Vërtet ëndërrojmë në përmasa të mëdha, por mendojmë në përmasa shume të vogla. Edhe këtë të drejtë e kemi të kufizuar. Evropa na është bërë mollë e ndaluar, që të lënë ta përtypësh, e që të jetë në fyt. Evropë mos na burgos, edhe ne jemi popull evropian !
E pra, prapëseprapë dashuria e parë nuk harrohet, e s’mund të ketë popull në botë që është më pro-amerikan se ne. I jemi medoemos falënderues për jetë, sepse ne e duam lirinë. Lobi amerikano-shqiptarë do jetojë sa të jetojë edhe vet demokracia. Drita në fund të tunelit për ne shqiptarët e Kosovës e ka vetëm një emër, SHBA. Kemi mbetur në dorë të evropianëve, vetëm si test për ta, e koha e provimit e ka minutazhin e caktuar. Qetësia dhe harmonia në Ballkan e më gjerë do të vie vetëm atëherë kur shqiptarët të bëhen një. Medoemos, Shqipëria e pabërë, do bëhet Shqipëri e bërë.. Bëhet ose Vdisët, me atë ideal.
Autori është Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë (USSH)
