Merreni model Ramjanin!
/2L ONLINE/ – Në kuadër të ditës së mjedisit, Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Viti ka përzgjedhur fshatin më të pastër, shkollën më të rregulluar dhe kopshtin më të mirë. Fshati Ramjan është përzgjedhur edhe këtë vit si lokaliteti më I pastër dhe me mbikëqyrje më të mirë, ndërkaq i dyti është renditur Kabashi dhe në vendin e tretë lokalitetet Sllatina e Poshtme dhe Stublla e Epërme.
Si shkolla me oborr më të rregulluar është veçuar e para shkolla fillore “Dëshmorët e 5 Prillit” e fshatit Smirë, vendi i dytë shkollës “Kenan Halimi” nga Skifteraj, si dhe vendi I tretë për shkollën “28 Nëntori” e fshatit Vërban.
Komisioni ka përzgjedhur edhe kopshtet më të mira, me që rast si më I bukuri u zgjodh kopshti I Flamur Zeqirit nga fshati Kabash, vendi i dytë për Naser Çunin nga Smira dhe vendi i tretë Ekrem Hoxha nga Sllatina e Poshtme.
Në hapjen e ekspozitës me fotografi nga fshatrat e komunës së Vitisë, kryetari i komunës Sokol Haliti ka thënë se kemi qenë të përkushtuar në krijimin e hapësirave gjelbëruese, eliminimin e deponive të egra, së bashku me këshillat e fshatrave.
“Kopshtet e mira dhe një përkushtim I ambienteve të pastra po u kushtohet edhe nga ekonomitë familjare. Gjithashtu kemi një gatishmëri që është për çdo lakmi e komunitetit për të mbajtur pastër ambientet shkollore dhe ne do të vazhdojmë ti përkrahim menaxherët e shkollave për nismat e tilla. Është rezultat I bashkëpunimit të mirë mes nxënësve, arsimtarëve, udhëheqësve të shkollave, prindërve dhe komunës që të kemi rezultate të mira në këtë drejtim. Të gjithë së bashku po e krijojmë këtë ambient, sikur që po punon komuna bashkërisht me sektorët e saj dhe shoqatat ambientaliste që po punojnë për ta ruajt tokën, ujin dhe ajrin”, ka thënë kryetari Haliti, duke inkurajuar të gjithë që të vazhdohet edhe më tej me ruajtjen e ambientit në rrethet ku jetojnë.
Ndërsa lidhur me punën për përzgjedhjen e më të mirëve, drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtje të Mjedisit Ajet Sallahu, ka njoftuar se përzgjedhja është bërë nga komisioni prej 5 anëtarëve, të cilët kanë vizituar çdo fshat, shkollë dhe shtëpi ku janë propozuar për të hyrë në konkurrencën e përzgjedhjes së më të mirëve.
Kurse Alban Sokoli kryetar i komisionit vlerësues, ka theksuar se gjatë vizitave, kanë bërë fotografi të atyre vendeve e që më pas janë përzgjedhur.
Ai thotë se kjo iniciativë, është shumë e mirë dhe ka treguar rezultat pasi që po nxitë një garë mes shkollave, këshillave të fshatrave dhe individëve që të angazhohen më shumë në ruajtjen dhe rregullimin e ambientit.
Përzgjedhja e më të mirëve në sektorin e ambientit, sivjet është bërë për herë të dytë, ku edhe vitin e kaluar fshati më i pastër ka qenë Ramjani. /2L ONLINE/
