(2LONLINE) – Zgjedhjet për pushtetin qendror po ofrohen dhe bashkë me to nga të gjitha anët është hapur merkatoja e transfereve të ndryshme politike. Partitë politike dhe individë të ndryshëm po bëjnë përpjekje për të qenë sa më shumë në sy të opinionit publik, pa marrë parasysh mjetet dhe individët që u duhen ti përdorin “si mish për top” për një përdorim gjatë kësaj periudhe. Ka raste kur dikush lëshon një subjekt politik dhe nuk i kalon as 24 orë pa parti politike, për tu kthyer pastaj, si me një shkop magjik në subjektin tjetër.
Në mendjen e njerëzve që kanë mendim mesatar politik, në esencën këto zhvillime nuk hapin ndonjë dilemë të madhe për moralin politik kosovar dhe rezultatin e këtyre lëvizjeve, pasi që jemi mësuar më këtë logjikë të klasës politike dhe të “kritikuesve të tyre”, që shndërrohet në një simbiozë të çoroditur, e cila funksionon në të kundërtën dhe pikërisht para dhe gjatë fushatave elektorale.
Sido që të jetë, të gjithë ata që po lëvizin gjatë kësaj kohe, në mënyrë të veçantë “figurat publike” të partive politike dhe ato të shoqërisë civile janë duke u munduar që në njëfarë mënyre ta faktorizojnë-realizojnë veten e tyre. Të gjithë e dimë se nuk po marrin angazhime të reja për ndonjë ideal që u paska mbetur në gjysmë të rrugës.
Megjithatë, nuk duhet gjykuar për të keq lëvizjet, veçanërisht këta që dalin nga njëra parti në tjetrën. Eshtë e drejtë kushtetuese e secilit të zgjidhet dhe të zgjedhë që të përcaktohet sipas bindjeve të tija politike. Në këtë punë nuk duhet të ketë të privilegjuar dhe jo të privilegjuar, sepse së paku nominalisht, të gjithë, si qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi të barabartë para Kushtetutës.
Personalisht nuk pres ndonjë ndikim pozitiv dhe përmbajtjesor të këtyre lëvizjeve me logjikën dhe praktikën se si funksionon politika në Kosovë, respektivisht partitë kryesore politike. Edhe orvatjet e subjekteve politike për të inkuadruar në gjirin e tyre “të hurit dhe të konopit” në thelb kanë qëllim ruajtjen e status quo-së politike në vend dhe brenda tyre.
Në këtë rast për tu shqetësuar është fakti që politika po arrin të përlyej edhe adresat më të forta të kritikës konstruktive (nga shoqëria civile), duke i bërë këta individë identik me objektin e tyre të kritikës, pra identik me politikën kosovare dhe qasjen e saj në përgjithësi. Shqetësues duhet të jetë devalvimi moral që po i ndodhë këtij sektori të rëndësishëm të shoqërisë duke krijuar një normë e pashkruar në këtë sektor, sipas të cilit çdo fund mandati në moçalin e politikës të futen njerëzit që refuzuan së paku publikisht të sillen me të njëjtën mënyrë.
Kam përshtypjen se përfaqësuesit e sektorit të shoqërisë civile e kanë lexuar (nëse e kanë lëxuar) gabimisht konstatimin e shkrimtarit amerikan Jeremy Rifkin se “shoqëria civile është shpresa jonë e fundit”, duke e konvertuar në shpresën e fundit të partive politike.
Shoqëria civile në fakt do të duhej që të luaj rol të rëndësishëm në identifikimin e padrejtësive, abuzimeve dhe keqpërdorimeve të cilat eventualisht mund të jenë të pranishme në një shoqëri demokratike në tranzicion siç është Kosova.
Mungesa e një shoqërie civile te konsoliduar padyshim që do të reflektojë boshllëk në organizimin shoqëror.
Një shoqëri civile e dobët padyshim që paraqet një mundësi të mirë për politikanë dhe burokratë të papërgjegjshëm që të vazhdojnë të anashkalojnë problemet reale të një vendi.
/Veton Nevzadi/