DYLON

Mërgata, kjo enigmë hamletiane!

Mërgata, kjo enigmë hamletiane!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Fatmir Kastrati

Në diskursin paszgjedhor të opozitës, mërgata u shfaq si një enigmë hamletiane. Jo për shkak të ndikimit real në rezultat, por për mënyrën se si u përdor si justifikim për humbjen. Ashtu si Hamleti, i bllokuar mes vendimit dhe hezitimit, opozita mbeti peng i dilemave të veta politike, duke munguar në veprime konkrete dhe strategjike gjatë gjithë periudhës së bllokadës institucionale. Refuzimi i koalicioneve, mosangazhimi në qeveri dhe mungesa e ideve konkrete për të ardhmen treguan një politikë reaguese, e bazuar më shumë në rrethanat sesa në një vizion të menduar.

EkoHigjiena

Një shembull i qartë ishte kritika ndaj datës së zgjedhjeve, e shoqëruar me pretendimin se mërgata anon drejt partisë fituese. Kjo qasje, përveçse e thjeshtuar, ishte edhe shmangie nga përgjegjësia politike. Indirekt, ata ishin të përfshirë në datën e zgjedhjeve, duke votuar ndaras. Por nëse do ta kishin analizuar situatën dhe do ta dinin që mërgata anon drejt partisë fituese, pse nuk ndërmorën hapa konkret më parë që t’a shmangnin kohën e zgjedhjeve që i konvenon një partie ashtu siç ata pretendonin?

Konfliktet e brendshme partiake dhe lufta për pozicione shtuan pasigurinë dhe paaftësinë për të ndërtuar një vizion të përbashkët. Në këtë kuptim, mërgata nuk ishte faktor vendimtar, ajo u shndërrua në një justifikim për mungesën e suksesit elektoral dhe paaftësinë për të kuptuar realitetin politik.

Në kontrast, partia fituese zhvilloi një angazhim të vazhdueshëm politik, me komunikim të qartë dhe mesazh konsistent. Ajo punoi sistematikisht për të paraqitur qëllimet e veta dhe për të ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me qytetarët, brenda dhe jashtë Kosovës, pa përdorur asnjë palë si alibi.

Pra, më shumë se sa një enigmë për procesin zgjedhor, me gjithë ndikimin që ka mërgata, ajo po kthehet  ne alibi politike. /2LONLINE/