(2LONLINE) – Gjithnjë më shumë kemi një përafrim të koncepteve politike dhe ideologjike, një tendencë gati-gati univerzaliste e veshur akoma me rrobat e saja tradicionale e nacionaliste si gjithkund tjetër, edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Lëvizjet ose Lidhjet, Për Integrim, Lëvizjet për Bashkim, Lëvizjet për Çlirim etj ishin dhe mbetën brumi i konceptit të tyre politik. Në të ardhmen, konceptet e tyre por edhe vet partive klasike, në përmasa nacionale dhe globale do të transferohen dukshëm. Kjo tendencë mund të vlerësohet si një mentalitet i ri, një domosdoshmëri e kohës dhe model i ri i të bërit politikë, krahaso lëvizjet kundër armatimit bërthamor (CND) në SHBA, Luftës në Vietnam etj. (Johnson 1987). Ndërsa karakteristike për lëvizjet e tona popullore është mungesa e elementit feminist në to.
Në zhvillimet politike në Kosovë nga viti 1990 por edhe në Shqipëri pas shembjes së komunizmit nga shekulli i kaluar ju mungonte dhe ju mungon tutje grahu i grave të rebeluara, feministe, të cilat vepruan dikur edhe akoma edhe sot veprojnë në margjina politike, mbase nuk pritet një zhvillim tjetër në mjediset e një shoqërie patriarkale. Nga koha e tranzicionit e deri më sot u lindën dhe u zhvilluan një mori mjaftë lëvizjesh që u krijuan dhe vepruan si të tilla pas pak u riemëruan në parti dhe nga partitë pastaj sërish u riformatuan në lëvizje, ose anasjelltas. Shumica prej tyre mbahen si nacionaliste, ndërsa primati i tyre nacionalist gjithnjë është një kundër-krahë i lëvizjes të shoqërisë civile me një përafrim me krahun e djathtë drejt qendrës. Lëvizjet ose partitë lëvizje në konceptin e tyre politik duket të jenë shumë larg konceptit univerzalist, ndërsa haptas dhe pa rezerva përkrahin konceptin kulturalist, duke përjashtuar kështu mundësinë e diversitetin dhe subjektivitetin politik.
Ky përcaktim mund të shpie një pjesë të shoqërisë drejt formave të reja të konfliktit i cili mund të drejtohet kundër primatit universalist dhe kosmopolit në shoqëri. Agjenda e partive nacionaliste apriori nuk drejtohet vetëm kundër imperializmit ekonomik, por edhe ndaj hegjemonisë kulturore, dominimit dhe hegjemonisë politike të shteteve ose kombeve të fuqishme drejt atyre të vogla dhe jo të fuqishme e periferike. Në të njëjtën kohë kemi manifestim të varshmërisë dhe subordinimit total ndaj të “mëdhenjve” dhe aleatëve deri në ritualizim fetishizues. Ndërsa akoma nuk ka një pozicionim të qartë ndaj vlerave dhe normave shoqërore perëndimore ose përballje ndaj atyre orientale e lindore, për ta kuptuar ose për tu shmangur “ndeshjes së kulturave”.
Në këtë kuptim ka më tepër një deklarim formal, gjersa gjeneza e të menduarit ideor mbetet në thelb populiste. Një qasje e ngjashme në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë liberale, nuk do të thotë medoemos përkrahje në çështje të varshmërisë dhe dominimit ekonomik. Ato mund të jenë tejet kundërshtuese, për shembull, siç mund të jetë pozicionimi kundër produkteve të eksportuara nga jashtë drejt Kosovës, dhe Shqipërisë, investimeve të huaja, lëvizjes së kapitalit, fuqisë punëtore etj. Dy shtete me politikë dhe elita kundërthënëse. Apriori me aq sa shihet dhe kuptohet mungon dosido një qasje partikulariste mbi fenomene të shumta, si ajo në fushën e zhvillimit ekonomik, politik dhe çështje tjera konceptuale të identitetit, për faktin se në botën moderne njerëzit nuk mund të identifikohen më si të tillë me një identitet, por me disa prej tyre, lexo; “multiple” dhe komplekse siç janë; identiteti etnik, gjinor, profesional, nacional, etj.
Tek e fundit universalizmi mund të na bashkojë në një pikë, kur kemi të bëjmë me sferën e të drejtave të njeriut, luftës kundër korrupsionit, abuzimit me pronën publike, qeverisjen lokale, transparencën dhe llogaridhënien dhe barazinë para ligjit. Megjithatë mendësinë tonë politike akoma e karakterizon efikasiteti por edhe emocionaliteti në veprime, përmes së cilës krijohen kolektivitetet partikulare, të cilat vetizolohen me një mbivlerësim për “Ne” dhe me një nënvlerësim ndaj “Atyre”. Ndërsa ka shpresë ose duhet bindshëm të rritet doza e shthurjes së veprimit klasik politik.
Mendësia e re politike do të duhej të zhvendoset gjithnjë drejt rrymave dhe lëvizjeve qytetare dhe shoqërisë civile. Hë për hë, shohim edhe një rritje gati të papritur të rrymave fetare radikale, të cilat zëshëm paraqiten në diskursin tonë politik e mediatik. Koncepti i tyre ritualizues është; Kërkimi i shpëtimit në “jenseits”. Gjendja reale në terren mbetet tutje konfuze: feminizmi i munguar, populizmi i tepruar i partive klasike dhe populiste dhe shfaqja agresive e lëvizjeve fetare. Këto të gjitha bashkë kanë krijuar një tepi shumë ngjyrash i cili duket të jetë një përzierje e llojit “areal mix”. Edhe pse në fakt pluralizmi ynë politik dita ditës po përmirësohet, demokratizimi i tij real është larg nocionit civilizues, sepse këtu akoma dominon kategorizimi “endrocentrik”.Akoma kemi një qasje tradicionale gati feudale ndaj praktikave ekologjike globale, katastrofave natyrore, praktikave sociale, por edhe atyre ekonomike e politike!
Këtë ese duhet ta përfundoj me një mendim kritik të të madhit Faik Konica: “Nuk është mjaft, o studentë në i shpufshi Shqipërisë një diplomë vetëm. Duhet t’i shpini edhe një mendim. Dhe ay mendim duhet të jetë aq’ i fuqishmë sa t’i shërojë trupin nga çdo sëmundje dhe t’i japë Zonjës së brengosur shëndetin dhe forcën për të qeverisur shtëpinë si nikoqire”. Faik Konica 1921. Deri atëherë gjithë të mirat! Gëzuar festat e fundvitit!
Mr. Zejnullah Jakupi