Menaxhmenti i Spitalit të Gjilanit, u shpreh ngushëllime familjes Ismajli pas ndarjes nga jeta të Dr Ukshin Ismajlit
/Spitali i Përgjithshëm, Gjilan/
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë shumëvjeçar, Dr. Ukshin Ismaili.
Dr. Ukshin Ismaili ishte një nga figurat e rëndësishme të shëndetësisë e në veçanti të asaj të Anamoravës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shërbimin shëndetësor dhe atë organiztiv institucional të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Tërë karrierën e tij profesionale si anesteziolog dhe si pjesë e menaxhmentit ia kushtoi Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore dhe në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve.
Ai do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin e tij profesional, humanizmin në shërbim të pacientëve, si dhe për kolegialitetin, bashkëpunimin dhe respektin e treguar ndaj kolegëve dhe gjithë personelit të spitalit.
Me këtë rast, Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, në emër të të gjithë mjekëve, infermierëve dhe personelit të spitalit, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ismaili, miqve, kolegëve dhe të gjithë të afërmve.
Humbja e tij është e rëndë për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Dr. Ukshin Ismailin!
U prehtë në paqe!
