Mehmeti: Të rinjtë e Luginës pa perspektivë, fajtor edhe Prishtina e Tirana

Mehmeti: Të rinjtë e Luginës pa perspektivë, fajtor edhe Prishtina e Tirana

Fikri Mehmeti, zëdhënësi i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan, thotë për Portalin 2LONLINE, se të rinjtë e Luginës janë shumë të zot e të suksesshëm në Universitetet ku studiojnë, mirëpo momentin që diplomojnë duhet të interesohen për ndonjë vend pune në vende jashtë Luginës sepse nuk shohin perspektivë për të ushtruar profesionin e tyre në Luginë.

“Për të gjithë ata që kanë diplomuar në Universitetet e Kosovës, pa perspektiva vije edhe për arsye se diplomat e tyre nuk nostrifikohen. Vitin e kaluar nga 708 aplikantë për nostrifikim diplome, vetëm 7 janë nostrifikuar nga shteti serb, e 701 personave ju është mohuar”, ka thënë Mehmeti, për të shtuar se po ashtu edhe ata që diplomojnë në Universitetin e Beogradit ose Nishit, nuk shohin perspektivë të punojnë në Preshevë ose Bujanoc, por menjëherë marrin rrugë drejtë vendeve tjera.

Mehmeti thotë tutje se përveç që nuk mund të punojnë në profesionin e tyre, papunësia e madhe në Luginë ku 78 % e qytetarëve janë të papunë, i bënë që edhe më shumë të iu shuhen shpresat për ndonjë avancim profesional në Luginë.

“Çdonjëri prej tyre ka dëshirë që kontributin profesional ta jep në vendin e tij, mirëpo nuk ju mundësohet kjo”, thotë Mehmeti i Vatrës.

Sipas tij, për këtë gjendje fajin e kanë edhe Prishtina dhe Tirana zyrtare.

“Në dialogun Beograd-Prishtinë, njerëz që asnjëherë këmba e tyre nuk ka shkelur në Luginë, nuk e njohin gjendjen me të cilën ballafaqohen mbi 70.000 qytetarë atje, nuk e kanë pjesë të diskutimit ngritjen e nivelit arsimorë, zhvillimin ekonomik, temën e nostrifikimit të diplomave – njohjen e diplomave nga Kosova, e shumë probleme tjera. Askund deri tani nuk e kemi parë të bisedohet për diplomat në dialogun Beograd-Prishtinë”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, Vatra mendon se në këtë drejtim mungon presioni politik nga Tirana zyrtare, e cila mban një pjesë të fajit për këtë problem.

KOMENTE