DYLON

Mehmeti: Gjykata Speciale tregon se Kosova s’është shtet

Avatar photo Redaksia

Krijimi i Gjykatës Speciale në Kosovë është një tregues se ndërkombëtarët nuk kanë besim në institucionet e Kosovës dhe se shqiptarët e Kosovës nuk kanë shtet. Kështu ka vlerësuar publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, në një debat me studentë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të organizuar nga Opinioni i Pavarur Studentor me temën “Roli i shqiptarëve në Maqedoni”.

Ai ka thënë se, po sikur Kosova të ishte shtet, nuk do të kishte nevojë që ata që supozohet se kanë bërë krime, të gjykohen jashtë. “Mendoj se Gjykata Speciale do të themelohet, mirëpo është një shenjë që tregon se Kosova nuk është shtet. Po sikur Kosova të ishte shtet nuk do të kishte nevojë që diku jashtë t’i gjykojë dhe t’i dënojë ata tanët që e meritojnë atë. Bashkësia ndërkombëtare me këtë ua dërgoi një porosi kosovarëve dhe u tha: ju nuk keni shtet, ju nuk keni gjyqësor, mirëpo ai gjyqësor mund t’ju dënojë juve, mirëpo me gjërat që i kemi ne, do ta kemi Gjykatën Speciale dhe do t’ju dërgojmë gjyqtarët tanë”, ka thënë publicisti Mehmeti.

EkoHigjiena

Ai ka thënë se ky është mosbesim ndaj institucioneve të Kosovës nga ana e ndërkombëtarëve. “Kosovarët duhet t’ia parashtrojnë një pyetje bashkësisë ndërkombëtare, se pse gjithë ato investime për 11 vjet, e nuk ia dolët asnjë gjykatë vendore ta bëni dhe të mos ketë as 10 gjyqtarë që ju do t’i besonit, sepse ky është mosbesim ndaj institucioneve kosovare nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Si e tillë, tregon shumë për atë që merr vesh, e për atë që nuk merr vesh, nuk tregon asgjë. Vetëm ulet e lutet: inshallah mua nuk do të më gjykojë”, është shprehur Mehmeti.