DYLON

Mehmedi: FSHF-së i bie ndërmend për talentet vetëm kur ata rriten

Avatar photo Redaksia

Sulmuesi nga Gostivari, Admir Mehmedi, që ishte pjesë e Zvicrës në Botërorin “Brazil 2014”, ka lëshuar kritika në adresë të FSHF-së, duke thënë se institucioni shqiptar i futbollit nuk investon te talentet, por pret që të marrë lojtarë të gatshëm.

Sipas tij, nuk duhen paragjykuar shqiptarët e Zvicrës, pasi ky vend u ka dhënë gjithçka që nga fëmijëria dhe deri tani. Në një intervistë për gazetën ‘Lajm’ nga Maqedonia, Mehmedi ka folur edhe për Botërorin dhe duelin me Messin.

EkoHigjiena

“Të jem i sinqertë, s’e dija se jam shqiptari i parë që kam shënuar në Botëror, por shokët ma kanë treguar pas ndeshjes. E kam ndier veten shumë krenar, pasi ishte një ndjenjë shumë e mirë të shënosh golin e parë shqiptar në Botëror”, ka thënë Mehmedi pasi është pyetur për golin kundër Ekuadorit.

Më tej bomberi, i cili do të luajë me Fraiburgun sezonin e ardhshëm, ka folur edhe për Shqipërinë. “Nuk kam marrë asnjë ftesë nga Shqipëria. Mendoj se FSHF-ja duhet t’i ndjekë talentet shqiptarë qysh në moshë të re dhe jo pasi ata të rriten dhe të zgjedhin kombëtaren. Nuk mund të kujtohen kaq vonë për të fituar dhe kjo nuk do të ishte korrekte edhe nga Zvicra në rastin tonë”, u shpreh sulmuesi.

“Ndeshja me Argjentinën ka qenë shumë e vështirë. Argjentina është favorit i këtij Botërori, pasi fituan edhe ndaj Belgjikës. Argjentina ka kualitete individuale të jashtëzakonshëm. Ne si ekip kemi luajtur mirë, por nuk i kemi lojtarët e kualitetit të tyre. Messin gjatë gjithë lojës e kishim nën kontroll, por një aksion i tij e vendosi ndeshjen. Ai është i jashtëzakonshëm, ndaj mendoj se në finale do të dalin Brazili dhe Argjentina, por fiton kjo e fundit, sepse e ka Messin”, përfundoi futbollisti.