(2LONLINE) – Ndonëse paralajmëroi përgjatë ditës që për shkaqe shëndetësore po e ndërpret rrugëtimin drejt Brukselit, megjithatë Ekrem Avdija, udhëheqësi i Grupit “Shtegtarët e Lirë” ka mbledhur vetën dhe ka gjetur forcë për të vazhduar bashkë me shokë rrugëtimin tutje drejt kryeqendrës së Evropës.
Avdija, përgjatë ditës kishte deklaruar për Portalin 2Lonline se nuk ndihej mirë me shëndet pasi kishte probleme me zemër (probleme të mëhershme), por edhe ndjente dhimbje në kokë, si rrjedhojë e lëndimit që kishte pësuar kur shtegtarët ishin sulmuar në Graçanicë, nga serbet lokal.
Ai kishte thënë se po ndalet në Rozhajë ku janë aktualisht, derisa katër shtegtarë të tjerët mund ta vazhdojnë tutje rrugën. Por, në mbrëmje ai ka thënë për 2Lonline se tani ka marrë veten, po ndihet më mirë dhe pa marrë parasysh problemet shëndetësore që mund ta përcjellin, ka vendosur të vazhdojë tutje rrugën, sepse po e ndjenë dhe e ka parë se pjesa tjetër e grupit kanë nevojë për të.
Avdija thotë se e veçanta e këtij rrugëtimi në Mal të Zi është ajo se po e vazhdojnë rrugëtim pa flamuj, pra jo siç ishin nisur nga Gjilani, pasi nuk janë lejuar nga Mali i Zi.
Përndryshe, “Shtegtarëve të lirë”, Ekrem Avdija, Jahi Mustafa, Nazim Ajdini, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha janë nis në këtë rrugëtim 78 ditësh nën moton “5 milion hapa për një hap”, e pritet të kalojnë mbi 2500 kilometra në këmbë deri në Bruksel ku pritet të arrijnë më 17 korrik, në orën 14 e 20 minuta.
Simbolika e ecjes drejt Brukselit ka qëllimin e madh që ta përçojnë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës. /2lonline/