/2L ONLINE/ – Vallë, arritëm në një gjendje të kaosit oratorik në qarqet të quajtura elitike: në politikë dhe në media. Fyerjet janë diç e rëndomtë në këto dy kupola nga ku qytetari duhet të kishte një pasqyrë ushqyese me qëndrime të mirëfillta respekti ndaj kundërshtarëve dhe ideve në mes tyre. Në vend të kësaj, aty vetëm se nxehen gjakrat dhe krijohen skena lufte ku armatosja më e shkëlqyer është sharja, mospërfillja dhe fyerjet me nduershmëri marramendëse. Llum, mjeran, hajdut, mafi, janë akoma cilësorë nderi në krahasim me “rrotë…”, me “ta njoh unë mëmën ty”, “e di djali/vajza i/e cilës nënë je”; e akoma më keq kur në kuvendhanen (se e kanë bë kuvendhane) e Prishtinës dhe Tiranës, fyhen e njollosen gratë shqiptare nga “shqiptarë” me retorikë të panjohur gjer para ca vitesh në gjuhën tonë.
Pa hy më gjatë në renditjen e fjalëve të turpshme, vërejmë qarqet politike dhe numër i medias të japin mësime morali pa asnjë fije të ndërgjegjes dhe vetëdijes se ata janë në ballin e shpërbërjes të asaj që duan t’ia shesin tjetrit. Kështu të pandërgjegjshëm, këto dy entitete në krye të mbarëvajtjes dhe emancipimit qytetar, rrënojnë pa asnjë përgjegjësi kryelartësinë, dinjitetin, kulturën dhe traditën kombëtare në rrafshin vendor e më gjerë. Ç’është më e tmerrshmja në këtë, votuesit kënaqen kur dëgjojnë liderin (sa kisha dëshirë ta shkruaj me dy r-ëja) e tyre të shaj e fyej atë të kundërshtarëve. Dhe ja mënyra më “pedagogjike” për përqafimin e këtij fjalori kahmos në gjirin e shumë simpatizantëve dhe me radhë gjer në shkolla e shtëpi, duke i përmbysur sjelljet dhe vlerat bujare të kombit.
Ndoshta forma arrogante, kryeneçe e shtrimit të pikëpamjeve është edhe bazë e suksesit (Trump) dhe të arriturave tjera në politike por kjo nuk duhet të jetë parim dhe me pak kujdes e dëshirë për bujari, votuesit kanë për obligim t’i dënojnë kandidatët e tillë. Një shembull të mirë e kemi në Francë ku u ndëshkua keq Sarkozy dhe është rrugës që përsëri të përjetoj humbje që në zgjedhjet preliminare për president. Nga ky shembull dhe sidomos nga tradita e ynë e mos ofendimit, duhet të kemi një synim dinjitoz dhe të pastrojmë të gjithë elementët dekadent të jetës politike dhe shoqërore në tërë trojet ku flitet shqip. /2L ONLINE/