Me qëllim krijimin e bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” konkretisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.
Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij memorandumi do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizës dhe kërkimit shkencor për projekte mjedisore.
Me këtë rast ministri Kuçi tha se qëllimi i këtij memorandumi është të krijojë lidhje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Sipas tij, bashkëpunimi ka për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizë dhe kërkim shkencor për projekte mjedisore.
“Sot kam kënaqësinë që si ministër së bashku me rektorin ta nënshkruajmë një marrëveshje e cila është iniciativë e hershme lidhur me çështjet që kanë të bëjmë me mbrojtjen e mjedisit dhe të ecim përpara. Këto kanë të bëjnë me kërkime të ndryshme shkencore, praktikës së studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës. Ndërsa rektorit i dëshiroj suksese në punën e tij sidomos, Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës në lëmit përkatës të mjedisit”, ka thënë ministri Kuçi.
Ndërsa, rektori Sahiti u shpreh se me nënshkrimin e këtij memorandumi, punimet në fushën e mjedisit do të kenë mundësi që të vihen në pah më shumë.
“Kam kënaqësinë që në cilësinë e rektorit të UP-së, të nënshkruaj këtë Memorandum Bashkëpunimi ku me zgjerimin e fushave dhe përgjegjësive të MEA-së na është hapur mundësi shtesë për bashkëpunim duke pas parasysh që fusha e mbrojtës se mjedisit është një ndër top temat sot jo vetëm në Kosovë por gjithandej. Me këtë marrëveshje do të kemi mundësinë që stafi i UP-së të jep një kontribut të çmueshëm me ekspertizën dhe analizat e tyre në mbrojtje të ambientit dhe faunës dhe punimet të kenë rezultate”, shtoi rektori Sahiti.
Ndryshe, saktësisht, ky memorandum do të krijojë kushte të përgjithshme për bashkëpunimin dy palësh në sferën e arsimit dhe kërkimit në shërbim të bashkëpunimit në zhvillimin e moduleve dhe programeve mësimore në nivelin bachelor dhe master, realizimin e punës praktike për studentët në këto module dhe programe, shkëmbimet e përvojave, praktikave të mira, ekspertëve dhe literaturës përkatëse për zhvillimin institucional, me qëllim të avancimit të politikave në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e veprimtarive shkencore dhe profesionale, ndikimi pozitiv në përafrimin e programeve të studimit me nevoja të tregut të punës e shumë veprimtari të tjera.
Për mbarëvajtjen e këtij memorandumi janë caktuar edhe koordinatorë nga ana e të dyja palëve ku do të monitorojnë dhe sigurojnë zbatimin e memorandumit në fjalë. /2LONLINE.com/