DYLON

Me Titon, që nuk e takova kurrë!

Avatar photo Redaksia

Arianit Sllamniku

/2L ONLINE/ – Nuk kam arritur të të takoj, bile as mosha ime nuk më mundësoi të të mbajë ndër mend në paraqitjet tuaja publike në televizorin bardhë e zi, por ditë për ditë po më bëjnë përshtypje veprimtaria e asaj kohe e cila ende ka mbetur gjallë, por vdekja jote shumë figura të sotme akademike, politike e patriotike I gjeti të përlotur dhe me një mallëngjim të pa përshkruar.

EkoHigjiena

Shoku Tito, ti që njihesh me prejardhje kroate, nuk është e rastësishme që Kroacisë ia mundësove të ketë bregdetin më të gjatë dhe më të pasur nga të gjitha republikat dhe krahinat e atëhershme e sidomos për dallim nga Kosova ime. Dikur mendoja se disa shqiptarë për atë punë të urrenin dhe I përkrahja në mendime!

Tani, e sidomos pas vitit 2008 kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj e cila u njoh nga më shumë se 100 shtete, shteti amë I ynë Shqipëria edhe neve na e dhuroi një copë bregdet në veri të vendit, por që pas një kohe u kthyen e na e morën dhe ia dhanë kinezëve!

Sinqerisht tani nuk di kënd ta urrej për këtë veprim, qeverinë e Kosovës, qeverinë e Shqipërisë apo të vazhdojë të ju urrej juve që ngelëm pa bregdet?!

Shtetin e bëmë shoku Tito, bile edhe atë me “pasosha”të Kuq sikur të kohës tënde por dallimi është se neve na duhet vizë për me dal nga vendi ynë derisa “pasoshi” I Titos nuk kishte pas “rampë” që I del përpara. Edhe këtë e kishe bërë me qëllim të keq, vetëm e vetëm për ta zbrazur Kosovën dhe për t’ia lënë në dorën e armikut!

Ti i le pas vetes edhe investimet në infrastrukturë të cilat ende po i gëzojnë edhe gjeneratat që nuk dinë fare për ty.

Po rrugët o I bekuar, pse nuk qite më pak material sepse kompanitë e sot-it trashësinë po e masin me rrugët e kohës tuaj o burrë. Pse nuk hodhe edhe aty më pak material se po dëgjojmë që kompanitë tona po ankohen që kinse nuk ju qet llogaria me specifikat e infrastrukturës tënde. E si pate llogari ti morë burrë?!

Të gjithë po çuditen o burrë se si i kishe bërë ndërtimet sikur për inat të shqiptarëve more vëlla!?

E tëra ajo armaturë e futur në objektet e banimit dhe ndërtimet tjera sa që është për t’u çuditur se si po arrijnë në këmbë ndërtimet e sotme. Apo edhe këtë investim të fortë e bëre për inat tonin!?

Për sa i përket bujqësisë, tokat bujqësore sot shfrytëzohen maksimalisht dhe pa ndonjë filozofi të madhe fitimi dhe jo si dikur ku kishe pas ngritur kooperativa bujqësore dhe me torturat e tuaja kishe pas punësuar të madh e të vogël për të punuar në vapë, në kohë të vështira duke I vjelur ato produkte që ishin për konsum ditor!

Tash jo shoku Tito, spec e kastravec na vijnë prej Turqisë, Serbisë e Maqedonisë derisa neve I blejmë pa u lodhur fare. Shalqirin e marrim nga shteti amë Shqipëria, por për çudi ata nuk na e marrin pataten e Kosovës o shok. Andaj pse të mundohemi neve të punojmë arat tona kur nuk na e blejnë të tjerët?!

Tash ke mundësi të ndryshme pa u djersitur fare. Tokën bujqësore ke mundësi ta lëshosh me qera për pompë benzine, Motel “për pushim ditor”, pishinë, ose varrezë veturash me pjesë të tyre përcjellëse ku paraja të vjen pa u djersitur fare.

Shkollat prej Zveqanit të Mitrovicës e deri tek Stublina e Gjilanit ende po funksionojnë, besa edhe prizat (shtekerat) e deri tek varësja e palltove janë të kohës tënde. Spitalet janë po ato që i ndërtove ti, bile edhe stafi arsimor e qe besa edhe ai mjekësor në të shumtën e rasteve është I kërkuar dhe I çmuar ai i gjeneratave të qeverisjes tënde se sa këto të ditëve tona.

Fabrikat edhe kooperativat, I shitëm!

Erdhën të hunit e të konopit me investime, blerje e shitblerje dhe na lanë përsëri në lloç.

A e mbanë ndër mend kur e ndërtuat për të parën herë një kombinat në komunën e Gjilanit, atë të duhanit? Ah, ai më shumë nuk punon se sa që prodhon ndërsa konsumi I duhanit pas luftës së fundit është dhjetëfishuar nga qytetarët e republikës tonë të re. Çfarë paradoksi, a po?

Ndërsa fabrikën e tekstilit, ku prodhoheshin perdet dhe tepihët për tërë Jugosllavinë, paj flitej se edhe në Spanjë kanë rastisur në prodhimet e “Givalit dhe “Taftisonit” të Gjilanit, a ju kujtohen madhështitë e ndërtimit të atyre fabrikave ku me planin ekonomik tuajin, torturoje mijëra punëtorë me nga tri ndërrime duke punuar!?

A tash jo, tash funksionojnë markete vetëshërbimi, prej çamçakëzit e deri tek letrat e tualetit aty I ke, ku me një grusht njerëz menaxhohen dhe jo si ti që I kishe pas maltretuar qytetarët e mi ditë e natë në punë. Sot askund nuk punohet në tri ndërrime ore zotëri.

Nga bisedat për atë kohë, del se kishe qenë edhe trillues e gënjeshtar I madh!

Si bëhet more zotëria juaj që qysh nga dita e parë e lindjes e deri në vdekje, personi në fjalë të ketë asistencë mjekësore falas? Po ku ka kështu more zotëri. Se di se si ju ka duruar populli kësi soji?

Jo. Sot jo. Sot po pate mjete financiare shërohesh. Sigurime e gjëra të tilla janë vetëm rrena të kulluara pasi që edhe spitalet janë shndërruar në biznes (publik e privat). Në publik I ke “tanët” derisa në privat I ke “tanët bashkë me të huajt”.

Ti edhe në çështjen nacionale kishe sjellë dëme a po?

Po po. Kështu këndejmi thonë, pasi që flamurin kombëtarë kuq e zi e kishe lejuar por e kishe lejuar me yllin e verdhë anash, andaj aty edhe filloi e gjithë tortura psikike e jona. Jemi apo nuk jemi si dhe me kënd dhe deri kur jemi, apo kështu disi!!!

Si duket me këso veprimesh humbe popullaritetin në këto anë.

Por përsëri nuk ke faj ti. Fajin e kemi ne. E kemi neve pasi na përkujtohesh në çdo hap me pak ato vepra tuaja që na kanë mbetur gjallë, universitetin e Prishtinës, shkollat, spitalet, fabrikat, pendat e ujit, ndriçimin, postat, rrugët e asfaltit dhe tërë ata njerëz që I gjete me mbi 80% analfabetë e që I maltretove me mësime teorike të thata, pastaj me zanate të rënda që deshe të ju nxjerrësh shpirtin, e tek ata pak inxhinierë e profesorë që I orientove në punë të pandërprerë duke I sistemuar nëpër vendet e punës.

Ju në kohë nuk e keni kuptuar që ne jemi popull bujar, liridashës të cilët nuk e durojnë torturën dhe represionin. Në përshkrimin e mëhershëm, ti shoku Tito vetëm dëme I paske sjellë popullit tim andaj edhe unë mendojë se me aktivitete të tepruara si aksione të rinisë, punë me nga tri ndërrime, shkollim me teori të thatë kurrë pa u ndalur dhe gënjeshtra për sigurime shëndetësore dhe mjekime pa pagesë deri në vdekje, janë vetëm disa nga maltretimet të cilat po I vërej se populli im nuk ka mundur t’i rezistojë më shumë tiranisë tuaj, andaj edhe gjykojë se populli shqiptar I Kosovës paska vuajtur shumë dhe me të vërtetë qenka çliruar nga një e keqe e madhe.

Lutem që skena dhe ngjarje të tilla asnjë populli të mos i përsëriten!