Me thënë se Kosova është projekt amerikan, biem ndesh me të kaluarën tonë, me përpjekjet shekullore të shqiptarëve, me luftën e UÇK-së. Projekti Kosovë është finalizuar nga Amerika, nuk ka filluar nga askush. Nëse themi ndryshe, e mohojmë vetëvetën, dhe na mohon Amerika. Pikë!
Shkruan: Ardian AZEMI
A mundemi dhe a bën pa Amerikën?! Ne, as në ëndërr nuk guxojmë dhe nuk duhet ta shohim Shtëpinë e Bardhë me ndonjë ngjyrë tjetër. Na verbon çdo ngjyrë tjetër e saj, na merr shikimin, na këputë dy këmbët. Thjeshtë, shikimi ynë kah Shtëpia e Bardhë, me besim e përkushtim, është shikim dhe ecje e sigurtë drejtë të ardhmes sonë.
Një gjë ta kemi të qartë, politika amerikane në raport me shqiptarët, me Ballkanin, me Evropën, nuk ndryshon, edhe nëse në administratë mund të jetë ndonjë dhëndërr i Serbisë, Rusisë, Kinës, dreqit e të birit. Politika amerikane në raport me ne, nuk njeh demokratë a republikanë. Është një dhe e pa ndryshuar. Të tjerat janë muhabete koti.
Kosova nuk guxon të ketë qeveri e cila i jep liri vetës ta përgënjeshtrojë politikën amerikane. Ata nuk rrejn, sepse nuk kanë nevojë, ngase nuk kanë frikë nga askush. Ne, fatkeqësisht kemi ende njerëz në mesin tonë që për politika ditore, për konsum të brendshëm, për faqe të zezë, e keqpërdorin besimin amerikan. Ata nuk e lejojnë këtë, nuk e kanë lejuar as tek shtetet superfuqi në botë.
Njëherë e mirë duhet ta kuptojmë, si popull e si politikë; me Amerikēn duhet me bisedua me letra çelë, mund të provosh edhe ndryshe, por ata dijnë çdo gjë, gjithçka, jo siç thotë Haki Abazi. E përsërisim, nëse politika jonë do të ishte unike për taksën, asnjë presion nuk do të vinte nga lartë. Amerika nuk pranon politikanë llastikë. Presidenti shkon flet diçka tjetër, kryeministri në telefon diçka tjetër, ndërsa Skender Hyseni diçka tjetër, dhe asnjëri tu mos e mbajtë fjalën dhe pa guxim me i argumentua qëndrimet.