Me repriza sa për ta mbajtur “çel” Teatrin

/2L ONLINE/ – Krejt e dinë tani më që Teatri i Gjilanit i ka punët “llom”. Ka kohë që situata atje është e rëndë dhe se nuk po duket akoma ndonjë zgjidhje që e kthen “në jetë” këtë institucion kulturor që po “vdes” pak nga pak. Krejt po presin që qeveria komunal, e pse jo edhe niveli qendror, Ministria e Kulturës, njerëz përgjegjës në këto institucione, por edhe përgjegjës të tjerë për këtë çështje, të kulturohen pakëz, jo shumë, veç sa për të reflektuar një grimcë, e për ta evituar një dry të madh, që ka kohë që po i sillet vërdallë dyerve të Teatrit të Gjilanit, që nga shumë kush veçse ka filluar të quhet “ish Teatri i Gjilanit’.

E për të mos thënë “S’ka mo, shëndosh na!”, se Teatrit iu vendos dryni, po kujdesen aktorët në teatrin e Gjilanit që po dalin në skenë me reprizat e shfaqjeve, siç ishte ditë më parë, komedia “Mbledhja n’Parlament” dhe tani me këtë të premte, ku pritet të shfaqet komedia tjetër “UFO-t”.

Dy shfaqje këto që sa herë janë vënë në skenë kanë mbushur plotë Teatrin, duke bërë të ditur se publiku është përherë aty dhe se ata që janë përgjegjës për zgjidhje situate duhet ta kenë në “ndërgjegje” pikërisht publikun e etur gjilanas, me shpresën se do të zgjohen nga gjumi, e të veprojnë drejt një zgjidhjeje të përhershme për Teatrin e Gjilanit.

T’i kthehemi UFO-ve që mund t’i shihni nesër në Gjilan!

Pas shume kohesh në Teatrin e Gjilanit, rikthehet komedia “UFO-t” e autorit Bashkim Hoxha e në regji të Erson Zymberi. Pra, më 16 tetor 2015, e Premte, ne ora 19:00, në Teatrin e Gjilanit, jepet repriza e shfaqjes “UFO-t”. Shfaqja ishte shpërblyer me 2 çmimet kryesore të Festivalit të Dramës Kombëtare në Gjilan në edicionin e vitit të kaluar si “Shfaqja më e mirë” e Festivalit dhe me çmimin tjetër “Aktorja më e mirë e Festivalit”.

Pak për shfaqjen – rikujtojmë atë që kemi shkruar!

…Ndonëse ngjarja ndodh në vende te ndryshme, regjisori Erson Zymberi vendos, që me ndihmen e skenografistit, ngjarjen ta realizon në një shtëpi kufitare. Aty, ai vendos shtëpinë dhe në te ndodhin të gjitha ngjarjet, duke bërë disa lëvizje skenike për të ndryshuar ambientin. Ndonëse realizimi i tërësisë së ngjarjes paraqitet në skena e akte të shumta, me transorfmim skenike, ai simulon me sukses vendin e kohen e veprimit, por kuptohet duke i marrë kohë, ngase ende TPGJ nuk ka arrit që të renovon skenën e të aplikon edhe pjesën rrotulluese të binës.

Ndonëse madhësia e skenës si dhe lartësia e saj, regjisorit i mundësoi edhe lojë në lartësi, thuaja në qiell, duke shfrytëzuar kulmin e shtëpisë dhe realizimin skenik të prapavisë kosmike, me një hënë, bukur më të madhe, në sfond. Regjisorit ndihmë të madhe i ka dhënë edhe numri i madh i aktorëve gjilanas i të gjitha gjeneratave, andaj ai nuk ka pas problem për të zgjedhur personazhet në bazë të karaktereve të kërkuara. Rrumbullakimin e ngjarjes duke i përdorë të gjitha etapat realizuese, qoftë letrare apo edhe skenike, regjisori i komponon me mjeshtri, andaj arrin që pos komunikimit në mes të bartësve të ngjarjes-aktorëve, ai arrin të komunikon bukur edhe me publikun… Krahas mjeteve konvencionale teatrale, regjisori përdori edhe mjete vizive të cilat shfaqjen e aktualizuan edhe më tepër, qoftë përmes vëzhgimit të përhershëm që paraqitej përmes syrit apo edhe kapërcimit të kohës përmes ecjes vizive nëpër kohë, duke e aktualizuar edhe më tepër ngjarjen përmes ekranit televiziv dhe raportimit për zbrazjen aktuale të vendit nga popullata.

Regjisori Erson Zymberi, tekstit të Bashkim Hoxhës, përmes ndihmës së aktorëve dhe pjesëve tjera përcjellëse të realizimit skenik i dha formë skenike, e kësisoj me sukses arriti që të bëhet autori i dytë i këtij teksti dramaturgjik, duke i ofruar publikut një shfaqje të suksesshme…
/ për më tepër: https://2lonline.com/category/art-kult/article-page.php?id=10689/

Përndryshe, në UFO, Interpretojnë: Kushtrim Qerimi, Mejreme Berisha, Ernest Zymberi, Safete Mustafa-Baftiu, Njomëza Kalaveshi, Muharrem Sylejmani e Bashkim Nexhipi, ndihmuar edhe nga një grup nxënësish të Shkollës së Muzikës të Gjilanit. /2L ONLINE/



KOMENTE