DYLON

Me një varg aktivitetesh Vitia shënoi 14 Qershorin Ditën e Çlirimit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Me seancën solemne të Kuvendit Komunal, kanë nisur sot aktivitetet për shënimin e 14 Qershorit- Ditës së Çlirimit të komunës së Vitisë. Duke iu drejtuar të pranishmëve në seancë ku ishin pos këshilltarë e përfaqësuesve të institucioneve komunale e politike, edhe përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjeve të dëshmorëve, institucioneve fetare, KFOR-it amerikan dhe qytetarë të tjerë, kryesuesi I Kuvendit Komunal të Vitisë Naim Pira theksoi se Vitia 17 vite më parë i dha fund një epoke të gjatë të luftës për liri e pavarësi dhe përmbysi sakrificën e këtij populli të shumëvuajtur.

“14 qershori -Dita e çlirimit të komunës sonë , është ditë kur populli ynë e pa veten të lirë dhe të barabartë me kombet e tjera . Kjo ditë ne vete na bart një histori me ndjenja të përziera me krenari e dhembje , ku dhembja është akoma pjesë e pandashme e përditshmërive tona. Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me përkrahjen e Aleancës Veri atlantike, bënë kapitullimin e shtetit serb dhe largimin e tyre përfundimisht nga trojet e Kosovës”, ka thënë mes tjerash kryesuesi i Kuvendit Naim Pira.

EkoHigjiena

Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke uruar qytetarët për ditën e çlirimit, ka theksuar se kjo liri erdhi fal punës , sakrificës dhe luftërave të lavdishme të shumë bijve dhe bijave të këtij vendi.

“Në këtë ditë të lavdishme, krahas festës, është e udhës që ti kujtojmë dhe t`iu përulemi me pietet gjithë atyre që punuan, kontribuuan dhe dhanë jetën për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare. Populli i Kosovës, gjatë historisë së tij deri tek liria dhe pavarësia, kaloi nëpër etapa sa të vështira aq edhe të lavdishme, pasi ky popull përkundër dhunës dhe persekutimit nga okupatori serb, që përmes aparatit shtetëror të tij të dhunës, provoi të ua ndaloi fëmijëve tanë që të mësojmë në gjuhën e tyre”, ka thënë kryetari Haliti.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe të arriturat e Institucioneve komunale në rindërtimin e pasluftës dhe angazhimin e Qeverisë aktuale për të siguruar një mirëqenie sa më të mirë për qytetarët e saj.

“Komuna e Vitisë, Ditën e Çlirimit, këtë vit e prêt me shumë të arritura në të gjitha fushat e jetës, pasi falë kontributit të qytetarëve si dhe bashkëpunimit me donator të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, kemi finalizuar apo jemi para finalizimit të qindra projekteve të cilat mundësojnë arsimim më cilësor të nxënësve, shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët, fusha sportive për sportistët, ambiente më të përshtatshme për artistët, kushte pushimi më të mira për pensionistët, si dhe një ambient të përshtatshëm për zhvillim të biznesit, bujqësisë , blegtorisë dhe fushave tjera që ndikojnë në punësimin më të madh të qytetarëve tanë”, tha Haliti.

Në këtë seancë një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Viti , Qemajl Rexhepi, i cili në fjalën e tij ka kërkuar nga faktori politik unifikim të interesave dhe bashkëpunim sa më të madh, në mënyrë që vendi të ecën drejt progresit dhe të arriturave të gjithmbarshme, që ishte edhe amanet i të rënëve.

Në orët e paradites gjithashtu , përfaqësues të institucioneve komunale, familjarë të dëshmorëve, partive politike, e qytetarë të tjerë, në shenjë nderimi kanë bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Viti, mbi varret e të cilëve janë vënë kurora lulesh.
Për nder të 14 Qershorit -Ditës së çlirimit të Komunës së Vitisë, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport , është mbajtur një program i pasur artistik, kurse po nga kjo drejtori është organizuar edhe marshi i lirisë me çiklistët vitias.

Po ashtu në orët e pasdites do të zhvillohet edhe një ndeshje sportive në volejboll, që edhe shënon përmbylljen e aktiviteteve për nderë të Ditës së Çlirimit të komunës së Vitisë. /2L ONLINE/