DYLON

Me ngjyrat e jetës…

Me ngjyrat e jetës…
Avatar photo Redaksia

Ibush Vishi

Me ngjyrat e jetës…

EkoHigjiena

(Sherafedin Kadriu, “Kur vdesin ngjyrat”, vëllim me poezi, sh.b. “Beqir Musliu, 2025 )

Autori Sherafedin Kadriu njihet për kontribute të shumta si në krijimtarinë letrare ashtu edhe në studimet kulturore dhe kritike. Fjala e tij paraqitet si fjalë e zgjedhur, e mprehtë, e thellë dhe e urtë madje në krejt mënyrat e komunikimit. Tani, ky krijues po na vjen me librin e radhës – përmbledhjen poetike “Kur vdesin ngjyrat”, me motive e tema të ndryshme, shprehur nëpërmjet një emëruesi të përbashkët, kryesisht në dritën e kryefjalës – me emrin: ngjyrë. Ngjyrë e ngjyrime ndërtuar në dymbëdhjetë cikle: Ngjyrë legjende, Kundër ngjyrave, Lakmi ngjyrash, Ngjyra fëmijërie, Kur u grisën ngjyrat, Ngjyrat e vdekjes, Ngjyrat e lirisë, Kur preken ngjyrat, Ngjyrat e atdheut, Kur fshihen ngjyrat, Ngjyrat e ngushëllimit, Për ngjyrën e zezë!

Si e tillë, mendojmë se vepra ka një ton dhe vizion të thellë ekzistencialist. Status që e pranon edhe poeti, si te poezia “Në fund të vetmisë”, sado në parantezë: “(Unë ekzistencialisti)”, ku, si i zoti i vetëdijshëm i kuptimit të jetës së vet, pohon me habi:

“Kush është ai trim / Që të ofron përvojën e vdekjes”?!

Libri fillon me një “Si kallëzim jashtëletrar për këtë vëllim poetik”, – siç parathotë poeti, – në të cilin, me një densitet kulmor, ekstraktohet thelbi i veprës si thelbi i vetë jetës: për dhembjen, për realitetin, për nacionalitetin, për gjakimin…,sikundër edhe me urimin (lexuesit): Lexim të këndshëm!

Urim, por që në përkim me fatin e autorit të sëmurë rëndë dhe me përmbajtjen poetike, sado së lexuari “këndshëm”, sakaq gjendemi para një shqetësimi të dyfishtë, shpirtëror dhe estetik: përballë autorit plot sprovë jetësore dhe përballë veprës së shkëlqyer poetike plot ndjenjë të ngjizur në art të vërtetë. Ku, në binomin sinergjik lexues – fjalë e bukur mikun më të mirë e më të qëndrueshëm e kemi vetë vargun e poetit, i cili në këtë vepër na përqendron fuqishëm: njerëzisht, poetikisht e intelektualisht; me gjuhën, figurën, ritmin, me stilin dhe shprehjen e thjeshtë në dukje, por të thellë në përmbajtje, që është sa emocionuese aq edhe artistikisht tërheqëse dhe përmbushëse. Pa çka se, duke e personifikuar si një “udhëtar”, poeti e qorton vargun: “… u dogje / E kurrë s’u poqe”; që nuk është veçse edhe si një pasqyrim i modestisë së theksuar dhe metaforës vetvete, sepse vargu i tij është edhe vetë “hiri” i tij që i fal kohës edhe për kurdoherë…

Kështu, vëllimi poetik “Kur vdesin Ngjyrat” shquhet për ndërtimin e një universi, ku ngjyra, si një kod leximi i botës dhe shpirtit, shndërrohet në metaforë për jetën dhe stinët e saj, për dhembjen dhe ekzistencën. Me dymbëdhjetë ciklet poetike, ku në secilin prej tyre eksplorohet një aspekt i ndryshëm i ngjyrave si simbolikë e përvojës njerëzore, lexuesi mund të parashikojë e të përjetojë një udhëtim poetik nga legjenda e deri te realiteti. Madje, përfundimisht, edhe me ngjyrën e paprovuar, por të pranuar si një realitet të pritshëm me vetëdije racionale, si të vetmen përvojë të paprovuar, por edhe “si të pakapërcyeshme“.

Në këtë mënyrë, tërë trajektoren e veprës e përshkon ngjyra, si një figurë polisemike, ose edhe nuancat e ndërkohshme të saj në përkim metaforik me fazat jetësore. Trajektoren e veprës, që në këtë rast e konsiderojmë edhe si sinonim të trajektores jetësore të autorit, por jo vetëm të tij… Pra, edhe të kolektivitetit, – të bashkësisë unike së cilës i takon, – që është Atdheu. Fatin e të cilit mund ta ilustrojmë me poezinë “Hije pa diell”, me po ashtu nëntitull në parantezë vargun e Migjenit: “(Dielli do ndrrojë udhën: ka për t’u lindë nga Përendimi…)”, ku poeti Sherafedin Kadriu thotë:

Se

Pa shikimin kah lind perëndimi

Dymijë vjet kemi parë hije pa diell.

Vizion lirie e përparimi dhe vargje që të përkujtojnë edhe vargun e Naim Frashërit: “Jak’ o dit’ e uruar! / Që lind nga perëndon…” Si një vizion dhe përpjekje e epokës së Rilindjes Kombëtare në gjirin e qytetërimit perëndimor që ende nuk u përmbush plotësisht…

Ndërsa, me shkas dashurinë ndaj jetës, le të përmend KUR VDESIN NGJYRAT edhe poezinë “Poezia e jetës sime“, ku poeti, me gjithë sfidat dhe represionin e përjetuar, përfundimisht me optimizëm të natyrshëm, thotë: “Po bëhem me Jetën! / Para se t’më marrë Vdekja!” Poezi që zbërthen raportin e individit me kohën dhe ngjarjet, përmes një përmase edhe tejpersonale. Me jetën, që urojmë ta gëzojë! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.