Më në fund edhe FC Drita bëri me dije se Zekirija Ramadani nuk është më trajner i klubit
Ndonëse ka ditë që u bë publike në media se Zekirija Ramadani nuk është më trajner i FC Drita, klubi “bardhe e kaltër”, tek sot ka lëshuar një komunikatë zyrtare përmes të cilës ka bërë me dije se ka ndërprerë bashkëpunimin me kryetrajnerin, Zekirija Ramadani.
Në njoftimin zyrtar nuk është dhënë asnjë arsye për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi, përveçse është vlerësuar lartë bashkëpunimi i deritanishëm i klubit me Ramadanin dhe janë bërë me dije sukseset që Drita i ka arritur me të.
“Ndërprejmë bashkëpunimin me kryetrajnerin Zekirija Ramadani. Klubi ynë shpreh mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë më shumë se dy vjetëve e gjysmë me trajnerin Ramadani. Bashkëpunimi ynë ishte i jashtëzakonshëm dhe sukseset që arritëm së bashku do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Më tej vihet në pah se: “titujt kampion dhe arritjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e punës kolosale që kanë bërë së bashku klubi e Ramadani”.
“FC Drita e falënderon Zekën për gjithçka që ka dhënë për klubin tonë, duke besuar se rrugët që ndërtuam së bashku mund të na bashkojnë sërish në një moment tjetër. Suksese dhe paç fat Zeko”, thuhet në fund të njoftimit. /2LONLINE/
