/2L ONLINE/ – E ka thënë edhe publikisht se e vlerëson veten si PDK-isti më i madh që e ka Gjilani. Por, nuk kanë munguar zërat, bile as nga subjekti i tij, se ai mund të ikë në Vetëvendosje! Është person që flet pa dorëza. Madje ai e nxjerr zërin edhe kur shumë kush në subjektin e tij, do me i hesht gjërat. E pranon që PDK-në e Gjilanit humbja në zgjedhjet e fundit dhe me këtë edhe e pushtetit, e ka tronditë këtë subjekt, por thotë se e kanë mundur vetveten e jo se janë mundur nga kundërshtari. Por, tani ai thotë se PDK po këndellet dhe po konsolidohet edhe atë fuqishëm. Vlerëson se PDK-së së Gjilanit i nevojitet në krye një personalitet autoritativ që e ka dëshmuar veten e tij se është për PDK-në dhe ka bekimin e strukturave të degës. Nuk i do imponimet andaj thotë se më mirë është të kemi një përfaqësues të degës në qendër, se sa një përfaqësues të qendrës në degë. Votimi i lirë, sipas tij, është fuqi që edhe kodrën e luan nga vendi. Ai beson se shumë shpejtë do të jetë e qartë për të gjithë se PDK-ja në Gjilan do të jetë subjekti numër një, më i fuqishmi… Për më tepër mësoni më poshtë qëndrimin e tij për disa çështje:
2L ONLINE: z. Neziri, cili është angazhimi juaj aktual në PDK ?
NEZIRI: Aktualisht jam anëtarë i Kryesisë së Degës së PDK në Gjilan dhe njëkohësisht, u bënë dy javë që jam i angazhuar edhe në Selinë e PDK-së në Prishtinë. Aktiviteti im i përditshëm është në funksion të veprimeve pozitive të PDK-së, gjithmonë duke respektuar edhe simpatizantët dhe veprimtarët e partive tjera me synimin final për të ruajtur dhe shpërndarë të vërtetën e veprimeve politike të PDK-së. Pra, për të rikthyer besimin udhëheqës para gjithë qytetarëve gjilanas të të gjitha përkatësive partiake. Kujtoj se jemi në rrugë të mbarë.
2L ONLINE: E keni vlerësuar veten si PDK-isti më i madh që e ka Gjilani, ndërkohë që nuk kanë munguar zërat, madje edhe nga vet kolegët tuaj të partisë se ju do të ikni në Vetëvendosje. Si qëndron puna ?
NEZIRI: Jo veçse kamë vlerësuar vet, por, kështu ka vlerësuar edhe një pjesë bukur e madhe nga mesi i aktivistëve të të gjitha nëndegëve të PDK-së që ka Gjilani. Unë e kamë thënë, ndërsa e verifikuan aktivistët e PDK-së. Në votimin e fundit brenda Kryesisë së Degës, për të dhënë dritën jeshile gjashtë kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës, fitova besimin e shumicës duke u radhitur në ndarjen e majës së tabelës. A nuk flet kjo?! Ndërsa, pjesa e dytë e pyetjes tuaj më bënë të qeshë dhe më bënë të teshë. Më bënë të qeshë sepse, shpjegon fukarallëkun e të menduarit politik të atyre që u degdisën në këtë përfolje. Disa nga ata, nuk arritën të kuptonin se është edukatë politike të pajtohesh edhe me ndonjë veprim të rivalit politik nëse do të identifikohej si veprim i drejtë. Për më tepër, do të ishte edhe si qëllim final për të fituar besimin e të tjerëve rreth tyre. Pastaj, kjo pyetje më bënë edhe të teshti, dhe me stërpikat e teshtitjes të i “spërkas” disa hajgaregji politik që u pengonte prezenca ime në Kryesi të Degës së PDK-së. Prandaj, nga mungesa e zotësisë së tyre politike për të qënë i besuar nga aktivistët më shumë se Unë dhe mungesa e kapitalit identifikues me PDK-në, më shumë se Unë, zgjodhën modelin më të keq për të shpjeguar mos durimin tim në Kryesi. Pra, zhurmuan me teorinë e përfoljeve të rrugaçërisë, kafeterisë, rakiomanisë e “qytetarisë” si presion për të “detyruar” ikjen time nga PDK. Ishte kjo, orkestrim i disa njerëzve që nuk janë “hakikat” në PDK. U gabuan rëndë.
2L ONLINE: Ti kthehemi zhvillimeve të fundit në PDK. Çështja e një lideri të PDK-së në Gjilan është aktuale. Kush po vjen në krye të partisë?
NEZIRI: Kush mund të vij, nuk e di! Veçse, e di se kemi shumë kuadro të vyeshme në PDK, prandaj, kushdo që të vij, kujtoj se do të bëhet mirë sepse do të ketë mbështetje të hapësirës së gjerë PDK-iste.
2L ONLINE: A nënkupton kjo mbështetje për të gjitha fraksionet brenda PDK-së ?
NEZIRI: Po,po, do të ketë mbështetje nga të gjitha alternativat brenda PDK-së. Ishte dikur në të kaluarën kur kuptoheshim si fraksione të brendshme dhe si të tilla ndesheshim mes vete. Tanimë kemi kuptuar se fraksionet janë alternativa, nuk janë ndarje, veç bashkërisht mund të ndryshojmë gjendjen aktuale të pashpresë.
2L ONLINE: A mund të përmendni ndonjë emër?
NEZIRI: Në PDK, ka shumë emra me përvojë, prandaj nuk dua të spekulojë qytetarët, dhe sidomos simpatizantët.
2L ONLINE: Ju personalisht, keni ndonjë të preferuar?
NEZIRI: Për mua, të gjithë janë të pranueshëm, por, dihet, Karrigia është veçse për njërin nga gjithë ata.
2L ONLINE: Po, pse hezitoni të thoni së paku një emër të preferuar?!
NEZIRI: Nuk hezitoj, nuk është veti e imja hezitimi, (e dinë gjilanasit)por, nuk dua që të krijoj orientime tek ata që më respektojnë. Kushdo që të vjen si fitimtar i zgjedhjeve nga votimi i lirë, do ta ketë mbështetjen time konkrete, madje, edhe të fuqishme.
2L ONLINE: Edhe nëse mund të jetë ai individ jashtë preferencave tuaja, mendoni se do e mbështesni?
NEZIRI: Po, patjetër, edhe le të jetë jashtë preferencave të mija do ta mbështes fuqishëm. Kompromisi është çelësi i sukseseve në politikë. Veçse le të vij nga vota e lirë e lirisë demokratike .
2L ONLINE: Ju nuk po përmendi emra, andaj më duhet ti përmend unë disa emra që po qarkullojnë kuluareve të vet strukturave të PDK-së, bile ka filluar edhe të lobohet për ta, siç janë emrat e Dr Shpend Elezit, Dr Aziz Mustafës e afaristit Alban Shala. Çfarë dini ju z Neziri ?
NEZIRI: Kështu si edhe Ju, edhe unë kamë dëgjuar të flitet gjithandej tavolinave të restoranteve e kafeneve, por, sa ka të vërtetë në gjithë këtë ofensivë fjalësh, më besoni, nuk di gjë. Kujtoj se janë shprehje e disponimit të ekipeve (nëse mund të quhen) relevante.
2L ONLINE: Po emrat tjerë, që vazhdojnë të jenë aktual, në njëfarë forme, për t’u rikthyer apo drejtuar degën, si ish kryetarët që drejtuan dikur degën, si Izmi Zeka, Qemajl Mustafa, Zenun Pajaziti, por pse jo edhe koordinatori aktual Sami Hoxha. Sa mund të jenë ata kandidatura serioze që mund ta marrin drejtimin e degës?
NEZIRI: Është pyetje paksa provokative mbi kurrizin e një politikani që pas vetes bartë edhe çmimin, por, s’mund të them ndryshe veç asaj se; me të njëjtin ujë nuk mund të lahesh dy here. Çdo përpjekje për tu larë dy herë me të njëjtin ujë, kujtoj se kundërmon.
2L ONLINE: A e besoni se, krejt lehtë mund të ndodh që të imponohet nga qendra ndonjë emër?
NEZIRI: Jo, nuk e besoj se do të na imponohet nga qendra, por, fare lehtë besoj se do të na preferohet nga qendra.
2L ONLINE: Por, kjo ka ndodhur z.Neziri. Kryetarin e Degës së PDK në Gjilan e kishit të imponuar për dy mandate radhazi?
NEZIRI: Po, disi ashtu ishte, por, ikën rezultatet. U detyruam të kalojmë në opozitë, pikërisht nga imponimi “shënuam autogol në portën tonë”. Fatkeqësisht, në mandatin e dytë ne nuk administruam si duhet dhe humbëm lojën përball një rivaliteti tutje më të padenjë për të administruar komunën si duhet.
2L ONLINE: Nuk dyshoni se mund të përsëritet sërish një imponim i ri?
NEZIRI: Më pëlqen të kujtoj se nuk do të përsëritet gabimi. Besoj se, tanimë është kuptuar edhe nga qendra; më mirë është të kemi një përfaqësues të degës në qendër se sa një përfaqësues të qendrës në degë. Votimi i lirë është fuqi , “edhe kodrën e luan nga vendi”.
2L ONLINE: Si e vlerësoni qeverisjen në Gjilan. Por edhe rolin e PDK-së si opozitë ?
NEZIRI: Kamë pritur më shumë tolerancë nga pozita. Nuk jam i kënaqur. Po ashtu, edhe me opozitën nuk jam gjithaq i kënaqur. Janë shumë aktiv (që është mirë) dhe shumë refuzues (që nuk është edhe aq mirë). Jo çdo propozim e planifikim nga partia në pushtet (LDK) duhet refuzuar. Nëse do të pengohet në KK. çdo nisëm e partisë në pushtet nga opozita, atëherë pra, kjo nuk është qeverisje vetëm e pozitës, por, është bashkëqeverisje edhe me opozitën.
2L ONLINE: Po flitet për një përafrim të mundshëm të PDK me LDK., më saktësisht një mundësi për një koalicion e me këtë edhe bashkëqeverisje me Gjilanin ?
NEZIRI: Hedhja e fjalëve në publik se palët shtyhen se nga cila anë vjen kërkesa, të bëjnë të kuptosh se asgjë serioze nuk ka këtu! Jam shumë i përkushtuar që të bëhemi qeverisës pushteti, por, vetëm atëherë kur më funksionalizojnë votat e lira. Skajshmërisht respektoj votën e lirë. Nuk i shohë serioze përpjekjet e fundit nga asnjëra palë për bashkëqeverisje. Nuk arrij të kuptoj se, cili është interesi i LDK-së në këtë rast?! Çka në të vërtetë i duhemi, për cilin projekt kanë mbetur keq që i duhet ndihma jonë? Ata mund të rrugëtojnë tutje edhe pa ne. Prandaj, dyshoj se, është lëvizje e menduar mirë nga anë e LDK-së që të na vejë në lajthitje pikërisht në këto momente konsolidimi të PDK-së. Dyshoj se LDK do të tërhiqet nga kjo nismë pikërisht në momentin kur konsideron se e ka arritur efektin e përçarjeve brenda PDK-së. Unë nuk do ta votoj, por, nëse arrihet pa votën time, do ta respektoj vullnetin e shumicës, sepse, kështu edhe më detyron Statuti i Partisë. /2L ONLINE/