Me mbjellje të luleve dhe drunjve dekorativ, Gjilani shënon Ditën e Tokës
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, shkollat fillore dhe të mesme, shoqëria civile dhe qytetarë të ndryshëm, kanë marrë pjesë në mënyra të ndryshme në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, duke dhënë kontributin e tyre në mbjelljen e luleve dhe drunjve dekorativ për të punuar kështu në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe mbrojtje të ambientit.
Kështu, nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, së bashku me drejtorët e drejtorive komunale, me nxënësit dhe kolektivin e shkollës “Musa Zajmi”, por edhe me qytetarë të rastit kanë mbjellë në mënyrë simbolike lule dhe fidane në disa pika në qytet, për të ndikuar në mbrojtjen e ambientit dhe shënimin e kësaj dite e cila shënohet në gjithë botën.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se zyra e kryetarit së bashku me drejtorinë e Arsimit, të Zhvillimit Ekonomik dhe Urbanizmit por edhe drejtori të tjera janë marrë me këto aktivitete duke potencuar nevojën e madhe të vetëdijesimit të nxënësve dhe gjithë qytetarëve për ruajtjen e ambientit.
“Sot simbolikisht jemi duke shënuar këtë akt solemn, për të vazhduar edhe gjatë të ardhmes me hapa të cilët ndikojnë në gjelbërimin dhe ruajtjen e ambientit nga papastërtitë e ndryshme që mund të shkaktohen. Si institucione lokale jemi duke punuar në programin për riciklimin e mbeturinave, e i cili do të filloj shumë shpejt së realizuari. Për realizimin e këtij pilot – projekti i kemi shkollat e Komunës së Gjilanit. Ne kemi paraparë që të jemi prezent në 19 shkolla të ndryshme fillore dhe të mesme, për mbjelljen e fidanëve dhe luleve. Këtij aktiviteti tonë iu kanë bashkangjitur edhe GIZ – i Gjerman dhe organizata, Green Art Center dhe Qendra Rinore”, ka thënë Kadriu.
Ai ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe ta ruajnë ambientin e mos të hedhin mbeturina vend e pa vend, duke spikatur iniciativën shumë të mirë të marrë nga grupi i ekologëve nëpër shkolla të ndryshme të Gjilanit për krijim të ambienteve të reja me gjelbërim.
Ndryshe në këtë aktivitet janë përfshirë 19 shkolla fillore dhe të mesme në qytet dhe fshatra të Komunës së Gjilanit, GIZ-i gjerman dhe dy organizatat lokale Green Art Center dhe Qendra Rinore për të mbjellë sa më shumë lule dhe drunj dekorativ për të vazhduar kështu për përkujdesje ndaj ambientit edhe çdo ditë tjetër pas kësaj dite. /2L ONLINE/
