DYLON

Me kë po takohet Qemajl Mustafa!?

Avatar photo Redaksia

Gjilan – (2LONLINE) –  Këto dy-tri ditë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Gjilan, në veçanti Qemajl Mustafa, kandidati për kryetar komune,  i cili ka siguruar balotazhin dhe do të ballafaqohet me Lutfi Hazirin (LDK), është duke e paralajmëruar Koalicionin e madh për Gjilani, ku rreth PDK-së, ka potencuar se do të jenë bashkë, AAK, Lëvizja Vatra, AKR, PD, PSD si dhe votuesit e Vetëvendosjes.

Për më tepër, për disa raste ai ka thënë se veç ka pas kontaktet e para dhe se çështja e koalicionit rreth PDK-së e subjektet e lartpërmendura pothuajse është çështje që shumë shpejtë do të jetë e kryer. Ai madje edhe përgjatë një konference të mbajtur të mërkurën, ka përsëritur atë se si ka pas takime me të AAK-së si dhe  ka paralajmëruar takime për sonte edhe me ata të Lëvizjes Vatra dhe të Partisë së Drejtësisë (PD), si dhe ka paralajmëruar kthimin e sigurt të votuesit pro PDK-së, që në rrethin e parë kishin votuar Lëvizjen Vetëvendosje.  

EkoHigjiena

Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të këtyre partive politike të apostrofuara nga Mustafa,  po i mohojnë takimet dhe po ashtu ndonjë koalicion të mundshëm që mund të jetë në prag. Përgjithësisht po thuhet se po presin certifikimin zyrtarë  të rezultateve për të biseduar e vendosur pastaj mbi këtë temë, pasi thonë se nuk kanë vija të kuqe për asnjërën parti politike, hiq Vetëvendosjes e cila si subjekt nuk do ta mbështet asnjë kandidat, së paku, tani për tani, deklarimet janë të tilla.

Po sot, kreu i AAK-së Rexhep Kadriu mohoi të ketë pasur subjekti i tij takime me PDK-në për çështje të koalicionit, madje ai nuk përtoi t’i cilësoi si gënjeshtra të kulluara çfarëdo deklarate nga kushdo qoftë, në këtë rast edhe nga Mustafa i PDK-së, për takime të mundshme me të, a me dike që përfaqëson AAK-në, për punë të koalicionit.  

Një gjë e tillë, se nuk ka pasur takime me PDK-në për këtë çështje e ka thënë edhe Kushtrim Kadriu nga Zyra për informim e Lëvizjes Vatra. Për më tepër, ai ka mohuar edhe mundësinë për t’u takuar sonte me PDK, ashtu si ka deklaruar Mustafa në konferencën e sotshme, dhe këtë tha se e mbështetë në qëndrimin e kryesisë së Vatrës.

Ndërsa, edhe Jetlir Zyberaj nga Aleanca Kosova e Re, niveli qendror, e demanton atë se partia e tij ka vendosur për ndonjë koalicion në Gjilan. “Kjo nuk është e vërtetë, askush prej strukturave të degës apo qendrës nuk ka diskutuar me askënd për këtë çështje. Ne ende nuk e dimë çfarë qëndrimi do të mbajmë sepse është shumë herët dhe kjo deklaratë e z.Mustafa është totalisht e pavërtetë”, ka thënë Zymberaj (burimi Indeksonline). Kësaj deklarate iu ka referuar edhe Arben Maliqi nga Dega e AKR-së në Gjilan i cili ka thënë se nuk ka çfarë tjetër më shumë ti shtoj kësaj deklarates së Zymberajt

Edhe Kujtim Shahiqi nga PSD-ja e Gjilanit thotë se deri në këto momente nuk ka pas kurrfarë kontakti mes PSD e PDK, apo me Mustafën për këtë çështje.  Shahiqi tha se deklarimet për koalicione që dëgjohen e ku përmendet edhe PSD, mund të cilësohen për momentin vetëm si qejfe të PDK-së. Pas certifikimit të rezultatit PSD do të bëjë analizën  dhe do të shikojë punën e koalicionin duke qenë e hapur pa vije të kuqe për asnjërën parti, thotë Shahiqi.

Pra, duke pasur në njërën anë deklarime nga ana e PDK-së, përkatësisht të Mustafës për takime veç të mbajtura dhe paralajmërime për takime tjera, dhe në anën tjetër mohime të këtyre takimeve, apo edhe për mundësinë e takimeve të reja para certifikimit të rezultateve, shtrohet pyetja vetvetiu, ka ndodhur apo jo këto takime që i potencon Mustafa dhe nëse po, atëherë me kë po takohet Qemajl Mustafa, dhe a mund të kryhet me ta, puna e koalicionit, pasi Mustafa po duket i sigurt në atë që po e pohon në lidhje me koalicionin.

Mbetet të presim në ditët në vijim se kah do t’i dal ”tymi”  kësaj pune dhe se do të shihet po ashtu se kush e pati me të drejtë e kush bëri politikë. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.