/2L ONLINE/ – Ndërkohë që nga jashtë po punohet në rinovimin e objektit të Teatrit të qytetit të Gjilan, që sigurisht do t’ia japin një pamje të mirë edhe këtij tempulli të kulturës, por në përgjithësi edhe qytetit të Gjilanit, megjithatë brenda këtij objekti “vlojnë” problemet, të ripërsëritura ndër vite, pasi asnjëherë nuk po bëhet një zgjidhje e plotë dhe e përhershme për këtë çështje.
I pyetur nga Portali 2L ONLINE, se me fasadimin e Teatrit të Gjilanit, a po fasadohen edhe problemet, Avni Shkodra, aktor, thotë se personalisht mendon që në parim është mirë që po fasadohet edhe rinovohet teatri, mirëpo gjithashtu mendon që prioritet duhet të jetë burimi njerëzor e tek mandej edhe renovimi. “Sikur veturës që nuk i funksionon motori, me e renovu gjith’kah, po jo edhe në motor, aty ku edhe e futë në funksion”, shprehet ai.
Sipas tij, nëse nuk futet në funksion teatri sipas ligjit për teatrot, sinqerisht duhet me besua që po fasadohen problemet, meqë qytetarit ndoshta më lehtë do t’i bie në sy ana e jashtme e teatrit sesa ajo substanciale, funksionalizimi (repertori), mirëqenia e krijuesve.
“Këshilli drejtues i teatrit duhet të mblidhen ma shpesh për t’i kry detyrat e veta, duhet të zgjidhet udhëheqësi artistik, e cila pozitë i është marrë teatrit, ansambli i aktorëve ekzistues dhe ai teknik të futen në paga të rregullta, të përmbushet numri maksimal i aktorëve rezident në 20 veta, në të ardhmen teatri i Gjilanit të bëhet teatër kombëtar me 30 aktorë rezident (Minimumi) sipas këtij ligji që e kemi, të buxhetohet teatri këtë vit për vitin që vjen, etj”, thotë Shkodra.
Ai shton tutje se është dëshpëruese kur komunës i tepron buxheti me miliona euro ndërsa teatrin e ka me probleme të tila. “Komuna e Gjilanit me milionat suficit, mundë ta zgjidhë problemin e krejt teatrove në Kosovë, duke ia ndarë çdo vjet proporcionalisht 7 teatrove të 7 qyteteve kryesore suficitin e Gjilanit”, shprehet me ironi, aktori gjilanas Avni Shkodra. /2L ONLINE/