Me aktivitete të ndryshme Vitia po shënon 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit
Me seancën solemne të Kuvendit Komunal, në Viti kanë nisur aktivitetet për shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se 28 Nëntori është një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët, në të cilën kujtohen me respekt të thellë të gjithë ata që, përgjatë historisë, punuan dhe sakrifikuan për të ardhmen e kombit.
Ai theksoi se kjo është dita kur flamuri ynë kuq e zi valëvitet me krenari, duke na rikujtuar rrugën e gjatë dhe të vështirë që kemi kaluar për të jetuar të lirë në trojet tona.
“Sivjet shënojmë 114-vjetorin e 28 Nëntorit 1912, kur në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u ngrit flamuri kombëtar, duke shënuar një kthesë historike për të ardhmen e popullit shqiptar”, tha Haliti.
Më tej, kryetari Haliti theksoi se sakrifica e brezave para nesh na obligon që të punojmë me përkushtim për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe të zhvilluar. Ai shtoi se liria dhe pavarësia janë vlera të mëdha, por kërkojnë përgjegjësi, angazhim dhe punë të përditshme.
“Si institucione komunale, kemi për detyrë të punojmë për mirëqenien e qytetarëve, për zhvillimin e komunës sonë dhe për krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë dhe për çdo familje. Vetëm përmes bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë dhe përkushtimit ndaj interesit të përgjithshëm mund t’i realizojmë aspiratat tona të përbashkëta”, u shpreh ai.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, tha se 28 Nëntori përfaqëson një ditë të lavdisë dhe krenarisë kombëtare, duke theksuar rëndësinë e nderimit të sakrificave të paraardhësve dhe angazhimit për një shoqëri më të fortë e më të bashkuar.
Ai theksoi se nëntori është muaji i festave të shqiptarëve, duke filluar nga figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit, e duke u kurorëzuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Azizi shtoi se festat e tilla duhet të shërbejnë si momente reflektimi dhe bashkimi kombëtar, për të bërë më të mirën për kombin dhe për t’u angazhuar secili për një të ardhme më të mirë, pa harruar të kaluarën e lavdishme.
Pas përfundimit të seancës solemne, përfaqësuesit komunalë dhe pjesëmarrësit bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve, ku vendosën kurora me lule në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, gjatë ditës u mbajtën edhe aktivitete të tjera, ndërsa në orët e mbrëmjes do të mbahet manifestimi qendror, me një program artistik të pasur me këngë dhe valle. /2LONLINE/
