Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan ka bërë të ditur se më 10 gusht do të fillojë faza e dytë e dezinsektimit hapësinor dhe do të zgjasë deri më 15 gusht.
Drejtoresha e Shëndetësisë, Aurorë Osmani, ka njoftuar se dezinsektimi do të bëhet nga ora 19:30 deri në ora 24:00, ndërkaq ka kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj kohe t’i mbajnë dritaret e mbyllura që të mos futen mushkonjat (insektet) brenda.
“Faza e dytë e dezinsektimit fillon nga lagja “Zabeli” gjegjësisht nga kolektori ku zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha në të dy anët e tij deri afër hotelit Kristal. Po ashtu, do të përfshihen lagjet Reshat Ymeri e Dheu i Bardhë. Në ditët në vijim do të përfshihen lagjet tjera si, Dardania, Kodra e Dëshmorëve, Arbëria si dhe tërë lagjet e hapësirat tjera të qytetit”, ka thënë Osmani.
Drejtoresha e Shëndetësisë ka theksuar se në zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të mushkonjave (insekteve) sidomos rreth lumenjve, do të bëhet dezinsektimi në këto fshatra: Malishevë, Uglar, Pogragjë, Dobërçan, Përlepnicë, Livoçi i Epërm, Livoç i Poshtëm, Cërrnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë.
Në rast të kushteve të pafavorshme klimatike (shi, erë e fortë) punët do të shtyhen deri në ditën e ardhshme me mot të mirë dhe vazhdon sipas orarit të paraparë.
Ndryshe, faza e parë e dezinsektimit hapësinor është realizuar më 18 korrik, e cila ka zgjatur gjashtë ditë. /2LONLINE/