DYLON

Mbyllet seanca në Gjykatën Kushtetuese, vendimi më vonë

Avatar photo Redaksia

Përfundoi seanca në Gjykatën Kushtetuese ku përfaqësuesit e PDK-së, LDK-AAK-NISMA-s dhe Vetëvendosjes paraqitën argumentet e tyre. Në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca dëgjimore, sipas kërkesës së dorëzuar nga PDK-ja e cila konteston seancën konstituive të 17 korrikut dhe votimin e Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit. Argumentet në emër të PDK-së i paraqiti Arsim Bajrami, i cili paraprakisht theksoi se PDK-ja do ta respektojë çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë rast. Bajrami theksoi se ka pasur vazhdimisht shkelje edhe në seancën konstituive por edhe në mbledhjen përgatitore nga ish Kryesia dhe nga ish kryetari i Kuvendit.

“Kryesia e kaluar e ka shkelur nenin 67.7 duke e future në një mbledhje teknike edhe një pikë atipike për këtë mandate, njoftimin për themelimin e grupeve parlamentare që nuk është nën juridiksionin e kryetarit të legjislaturës së kaluar”, tha Bajrami.

EkoHigjiena

Me shumë shkelje sipas tij, është përcjellur edhe seanca konstituive, e cila do duhej të ishte solemne dhe festive, por që sipas Bajramit ka dalë jashtë të gjitha praktikave parlamentare të Kosovës por edhe evropiane. Ai theksoi se PDK-ja është grupi më i madh dhe kjo është verifikuar nga Komisioni për verifikimin e mandateve, dhe se PDK-së i takon propozimi për kryetarin e Kuvendit.

“Ne kërkojmë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë jokushtetuese zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si për nga procedurat e ndjekura, si për nga përmbajtja. Gjykata të konstatojë se grupi më i madh parlamentar ëshët ai i PDK-së me 37 deputetë i verifikuar edhe nga komisioni ad hoc. Gjykata të konstatojë që e drejta e PDK-së për ta nominuar kryetarin e kuvendit është e patjetërsueshme dhe nuk mund t’i kalojë asnjë grupi tjetër parlamentar”, tha Bajrami.

Vjosa Osmani në emër të bllokut LDK-AAK-Nisma paraqiti kundërargumentet, duke mbrojtur kushtetutshmërinë e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe votimin për kryetarin e Kuvendit. Ajo kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që mos të merret me kërkesën e PDK-së, ngase tha se është jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kërkojmë që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme, sepse nuk është në përputhje me kushtetuese dhe nën 2 nëse kjo gjykatë të vendos ta shpallë kërkesën e papranueshme, dhe kërkojmë që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte kushtetuese”, tha ajo.

Duke kërkuar një vendim të drejtë, Osmani ia kujtoi kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani një analizë të Komisionit të Venedikut të bërë në vitin 2011, ku thuhet se ndarja e pushteteve sa u përket Gjykata Kushtetuese sidomos në vendet e tranzicionit është ndër parimet kryesore.

“Një gjyqtar kushtetues i cili respekton ndarjen e pushteteve dhe ndarjen në mes të legjislaturës në njërën anë dhe kontrollit gjyqësore në anën tjetër, duhet taketë parasysh një parimin thelbësor dhe ai është legjitimiteti demokratik i vendimeve të Kuvendit. Në rastin konkret ky legjitimitet buron nga 2/3 e deputetëve”, tha Osmani.

Edhe Osmani por edhe kolegët e saj, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje dhe Ardian Gjini nga AAK-ja kanë mbrojtur qëndrimet se kërkesa e PDK-së, nuk ka bazë për t’u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese. Haxhiu theksoi se kërkesa e PDK-së nuk ka mbulesë juridike, pasi nuk janë shterrë të gjitha mjetet juridike para se çështje të shkojë në Kushtetuese.

Por, Arsim Bajrami nga PDK-ja theksoi se kërkesa ka bazë kushtetuese dhe se interpretimi i vendimeve të Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të konsiderohet ndërhyrje në sovranitetin e Kuvendit, ngase Kushtetuesja e ka për obligim që të kujdeset për mbrojtjen e kushtetutshmërisë së vendimeve.

Seanca dëgjimore ka vazhduar me replika mes përfaqësuesve të partive politike, sidomos për çështjen se cili është grupi më i madh parlamentar, ndërsa secila palë ka insistuar në të drejtën e vetë duke dhënë argumente të ndryshme. Nga ana e anëtarëve të Gjykatës nuk pati ndonjë pyetje për palët. Pas dëgjimit të argumenteve nga të dyja palët, Gjykatës Kushtetuese i mbetet që të marr vendimin, sa i përket kontestimit që PDK-ja i bën zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës në seancën e 17 korrikut.

http://www.rtklive.com/?id=2&r=2136