Viti i ri shkollor me probleme kadrovike dhe sistemim të mësimdhënësve
Nexhat BUZUKU
(2LONLINE) – Një problem tjetër që vazhdimisht streson dhe tensionon mësimdhënësit është ndarja e orëve në lëndët mësimore, gjegjësisht kush duhet të jetë kriteri – përvoja e përgjithshme e punës në arsim apo kush e ka nisur i pari punën në shkollën përkatëse. Një përgjigje të menjëhershme për këto dy çështje, që të mos jenë problem i çdovitshëm në shkolla duhet ta japin MASHT-i dhe Drejtoria Komunale e Arsimit.
Me pushimin e funksionimit të klasës së XIII do të pakësohet fondi i orëve mësimore, e rrjedhimisht me këtë edhe shumë mësimdhënës mund të mbesin pa vende pune.
Kjo situatë e re në sistemin arsimor të Kosovës do të krijojë telashe në vitin shkollor 2014/2015. Prandaj, mësimdhënësit me të drejtë ndjehen të shqetësuar nga rrezikimi i humbjes së vendeve të punës në një kohë tepër kritike ekzistenciale ekonomike-sociale.
Ky problem prek gjithë shkollat e mesme të Kosovës, por fokusimi i kësaj trajtese është në shkollat e mesme të Gjilanit, më saktë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” dhe në Shkollën e Mesme Mjekësire “Dr. Asllan Elezi”.
Sipas shëimeve të drejtorive të këtyre dy shkollave, në vitin shkollor 2014/2015 një numër mësimdhënësish rrezikohen të mbesin pa vende punë si pasojë e mbylljes së klasës XIII, e cila pakëson fondin e orëve mësimore. Jo vetëm klasa XIII, por edhe ndryshime në kurikulën arsimore rezultojnë me pasoja për humbjen e vendeve të punës, për shkak të reduktimit të orëve mësimore në disa lëndë mësimi.
Në Gjimnaz, nga shënimet faktike, në vitin shkollor 2014/2015, do të ketë 90 orë më pak, që del të humben 4 norma e gjysme, apo 4 vende e gjysmë pune. Në Filozofi fondi i orëve pakësohet nga 42 në 22, apo 20 orë më pak, dhe shuhet një normë – 1 vend pune, në Edukatë qytetare nga 49 orë në 36 – 13 orë më pak, në Psikologji – 9 orë më pak, në Logjikë – 6 orë më pak – pra në këto lëndë shuhen 48 orë mësimi apo dy vende pune e 8 orë; në Gjuhë shqipe do ketë 8 orë më pak, në Gjuhë angleze – 29 orë më pak; në Informatikë humben 25 orë mësimore, e disa lëndë tjera do ketë 38 orë mësimore (Gjeografi – 12 orë më pak, Ekonomi – 16 orë më pak, Edukatë fizike – 6 orë dhe Histori – 4 orë më pak). Ndërsa, në shkencat e natyrës, përjashtuar lëndën e gjeografisë, e cila rreshtohen në të dyja fushat shkencore, ka shtim orësh, atëherë numri i përgjithshëm i orëve mësimore në lëndët mësimore në Gjimnaz në vitin shkollor 2013/2014 është 2196 orë, ndërsa në vitin shkollor 2014/2015 do të jetë 2106 orë mësimi apo 90 orë më pak.
Ndërkaq, në SHMM “Dr. Asllan Elezi” nga mbyllja e klasës XIII duke nisur me vitin e ri shkollor 2014/2015, sipas drejtorit të kësaj shkolle, Rahim Azemi, do të humbet nga një normë e gjysmë, apo nga një vend e gjysmë pune që del të humben 12 vende e gjysmë pune. Këtë vit shkollor klasën e XIII në SHMM “Dr. Asllan Elezi” e përfundojnë 9 paralele.
Azemi ka adresuar një vërejtje në mospërfshirjen e lëndëve shoqërore në Shkollën e Mesme të Mjekësisë – Sociologji dhe Edukatë qytetare, të cilat mësohen në shkollat tjera profesionale. Drejtori Azemi është i mendimit se nxënësit e Mjekësisë nuk mund të formojnë personalitetin, sidomos në aspektin e socializimit dhe komunikimit me njerëz të tjerë – pacientë, duke mos mësuar shkencën mbi shoqërinë (Sociologjinë) dhe atë mbi kulturën qytetare (Edukatën qytetare).
Një problem tjetër që po krijon strese, tensione jo vetëm verbale në shkolla është edhe mungesa e kritereve të qarta mbi të cilat bëhet ndarja e orëve mësimore në lëndët përkatëse. Në shkollat e mesme të Gjilanit, këtë herë është fjala për Gjimnazin “Zenel Hajdini” dhe SHMM “Dr.Asllan Elezi”, se përparësi në marrjen e orëve, gjegjësisht mbajtjen e tyre ka ai që ka më shumë vite punë në Gjimnaz, psh. nëse një mësimdhënës ka 15, 20 apo 25 vite përvojë pune në shkollat e rajonit, por me pak vite pune në Gjimnaz, e një tjetër ka 10 përvojë pune në Gjimnaz dhe ai merr orët para atij që ka më shumë përvojë pune në arsim. Këtu vjen në shprehje një logjikë e paqëndrueshme, sepse na del sikur shkollën e përceptojnë si një lloj prone private a personale, kur dihet se në një sistem arsimor që ndërtohet dhe funksionon mbi kritere të duhura, përvoja dhe cilësia (nota mesatare në studime, koha e kryerjes së studimeve – kohëzgjatja e studimeve, punimet shkencore, grada shkencore, organizimni i orës, etj), duhet të jenë kriteret kryesore me rastin e ndarjes së orëve mësimore.
Meqë ka probleme të kësaj natyre, ankesa, shtyrje bërrylash, inatesh, atëherë kjo barrierë që çrregullon marrëdhëniet ndërkolegiale, ndërprofesionale dhe ndërnjerëzore në shkolla, duhet të zgjidhet urgjentisht nga MASHT-i dhe Drejtoria Komunale Arsimit.
Të qartësohet saktësisht dhe pa lënë dilema se kush duhet sipas radhitjesh të jetë i pari, i dyti, i treti e kështu me radhë në marrjen e orëve mësimore. Institucionet e arsimit duhet para përfundimit të këstij viti mësimor, jo shkollor, të dalin publikisht me kriteret mbi përparësitë në ndarjen e orëve në lëndët mësimore. /2lonline/