Mbrojtja e 15 të pandehurve të “Grupit të Drenicës” sot (e hënë) do t’ia paraqesë gjykatës kërkesën për t’i kundërshtuar pretendimet e prokurorit dhe për ta hedhur poshtë aktakuzën që është ngritur ndaj këtij grupi.
Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, ka thënë për “Epokën e re” se pretendimet ndaj klientit të tij janë vetëm thashetheme dhe se pret që të mos ketë shqyrtim kryesor.
“Të hënën do të dorëzohet kërkesa e ekipit mbrojtës të Sylejman Selimit për kundërshtimin e provave dhe kërkesa për hedhjen e aktakuzës. Jemi duke i kundërshtuar vetëm provat e prokurorit. Provat që prokuror i ka paraqitur në akuzë mendojmë se nuk mund ta provojnë fajësinë e Sylejman Selimit për akuzimin e tij për krime të luftës. Meqenëse gjithçka në atë aktakuzë është e përmendur si thashetheme dhe nuk ka asnjë provë konkrete, kemi kërkuar të hedhet poshtë aktakuza dhe të mos shkohet fare në gjykim për këtë çështje”, ka deklaruar Gashi.